Mbrëmjen e kaluar, Bashkimi Demokratik për Integrim organizoi tubimin përmbyllës në Çair të Shkupit, ku morën pjesë qindra qytetarë, mes tyre prezent edhe kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti. Mes të tjerëve, deputetja e kësaj partie, Dijana Toska, theksoi se çdo ditë në numrin e saj të telefonit mbërrijnë dhjetra ankesa nga qytetarët, të cilët këtë mbështetje dhe komfort e kanë gjetur vetëm te BDI, ndërsa jo te koalicioni aktual qeverisës VLEN.
“Në numrin tim të telefonit, në inbox-in tim në Facebook, çdo ditë më vijnë dhjetëra mesazhe, dhjetëra ankesa nga qytetarë të ndryshem—njerëz të ndershëm që kërkojnë vetëm atë që u takon me të drejtë: respekt, mundësi dhe trajtim të barabartë. Më shkruajnë për padrejtësi në institucionet publike, për diskriminim në vendet e punës, për dyer që u mbyllen vetëm sepse nuk kanë “lidhjet e duhura”. Më tregojnë për pengesa që ua vënë përpara vetëm sepse janë shqiptarë. Këto janë histori të vërteta, halle të vërteta që nuk mund të anashkalohen.
Dhe e dini çfarë është më e dhimbshmja?
Askush nga qeveria aktuale, askush nga VLEN nuk i dëgjon këta zëra. Adresa e vetme ku trokasin mbetemi ne, BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM! Ne jemi ata që dëgjojmë, ne jemi ata që u përgjigjemi, sepse ne e dimë çfarë do të thotë të ndihesh i përjashtuar. Kjo është prova më e madhe që populli e di kush është gjithmonë në krahun e tij. Populli e di kush është aty për ta, në ditë të mira dhe të vështira. Dhe kjo është BDI-ja”, tha deputetja e Frontit Evropian, nga rradhët e Bashkimit Demokratik Për Integrim, Dijana Toska.
Ndër të tjerash ajo gjithashtu përmendi edhe ngecjen e ndryshimeve kushtetuese, që sipas saj është një problematikë serioze që nuk guxon të stagnohet ndërsa këtë i’a faturoi koalicionit në qeverisje VLEN-VMRO DPMNE.