ZKM njofton për takimin e Kurtit me Duda Baljen: Diskutuam për mundësitë e vazhdimit të bashkëpunimit të deritanishëm

by Nexhat

ZKM ka njoftuar për takimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me deputeten e zgjedhur Duda Balje.

“Në takimin e radhës me përfaqësues të partive parlamentare të komuniteteve joshumicë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti deputeten e rizgjedhur të Kuvendit të Republikës nga radhët e komunitetit boshnjak, Kryetaren e Unionit Socialdemokrat (SDU), Duda Balje.”

banner

Në njoftim thuhet se Kurti e ka uruar Baljen për mandatin e ri dhe se kanë diskutuar për “procesin dhe rëndësinë e formimit të institucioneve pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe për mundësitë e vazhdimit të bashkëpunimit të deritanishëm në ekzekutiv dhe legjislativ”.

“Kryeministri Kurti e uroi znj. Balje për mandatin e ri në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Diskutuan për procesin dhe rëndësinë e formimit të institucioneve pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe për mundësitë e vazhdimit të bashkëpunimit të deritanishëm në ekzekutiv dhe legjislativ. Pjesë e takimit ishte edhe zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Eldin Uglari, i cili vjen nga radhët e partisë që drejtohet nga znj. Balje.”

Balje pas takimit, në një deklarim para gazetarëve, ka thënë se Kurtit ia ka prezantuar kushtet e saj në këmbim të votës dhe tha se nuk ka marrë konfirmimin nga Kurti nëse ato do të plotësohen dhe se rrjedhimisht as nuk ka dhënë konfirmim për votimin e qeverisë.

“Sot ne kemi pasë takimin e parë. Unë dola para kryeministrit me kërkesat që ne si boshnjakë kemi. Nuk kemi marrë asnjë konfirmim dhe nuk kemi dhënë asnjë konfirmim. Tash për tash jemi në fazën e bisedimeve. S’ka asgjë konkrete”.

Balje tha se kërkesat e saj janë “komuna e boshnjakëve, reforma në arsim, trajtimi i barabartë për krejt deputetët që kanë një votë brenda Kuvendit. Takimin e radhës nuk e kemi caktuar ende”.

Balje tha se ka mbetur që edhe nga ana e Kurtit “të mendojë” dhe më pas të kthejë përgjigje.

Gjithashtu, deputetja Balje tha se nuk e di me siguri nëse do të votojë për zgjedhjen e kryeparlamentarit më 15 prill pa e marrë sigurinë se do t’i plotësohen kërkesat.

“Ne kemi takimin në Kryesi të partisë dhe pastaj do të vendosim”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy