Në një komunikim me ndjekësit në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se për herë të parë, një kryeministër britanik, Keir Starmer, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri. Kjo vizitë do të zhvillohet para Samitit të Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet më 16 maj në Tiranë. Rama e vlerësoi këtë vizitë si shumë të rëndësishme, duke theksuar se kjo është hera e parë që një kryeministër britanik viziton Shqipërinë për një qëllim zyrtar.
“Pas një muaji, do të vijë kryeministri britanik në vizitën e tij të parë zyrtare. Asnjëherë nuk ka ardhur një kryeministër britanik për një vizitë zyrtare. Ka ardhur vetëm një herë Tony Blair për të shkuar në Kukës, ishte vizitë bilaterale”, tha Rama.
Gjithashtu, Rama ka njoftuar se presidenti francez, Emmanuel Macron, do të kthehet për herë të dytë në Shqipëri për një vizitë zyrtare në të njëjtën periudhë, kur do të zhvillohet Samiti i Komunitetit Politik Evropian.
“Hera e parë që një president i Francës vjen përsëri në Shqipëri. Ky është një moment i rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve me Francën“, theksoi Rama.
Rama foli gjithashtu për rëndësinë që ka Samiti i Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet në Tiranë në muajin maj. “Ky është një mundësi historike për Shqipërinë dhe një shenjë e forcimit të lidhjeve me partnerët tanë ndërkombëtarë”, shtoi ai.
Gjithashtu Rama ka kritikuar opozitën. “Mund të ishin gjërat më mirë, por kush është këtu që mund t’i bëjë gjërat më mirë? Bufi i kënetës apo moçalishtet e reja që bëjnë të njëjtat lloje zotimesh, të njëjtën gjuhë, të njëjtat metoda, mllef e mllef. Nuk ka”, tha Rama.
Kryeministri Rama gjithashtu ka komentuar zgjedhjet e ardhshme të 11 majit, duke shprehur besimin e tij se Partia Socialiste do të triumfojë. Ai u pyet nëse priste të fitonte 77 deputetë, dhe ai u përgjigj me optimizëm: “Nuk e dimë, mund të jenë edhe më shumë. Do ta shkruaj atje te lokali në Kuç, ku herën e kaluar kam lënë rezultatin”, shtoi kryeministri. Rama beson se PS është shumë e fortë dhe ka mbështetje të madhe nga populli. “Ne punojmë ditë e natë, jemi me njerëzit, komunikojmë“, tha më tej ai.
Në lidhje me ekonominë dhe pagat, Rama theksoi se ka pasur një rritje të madhe të pagave në Shqipëri gjatë mandatit të tij. “Paga mesatare është rritur dy herë. Në vitin 2024, paga mesatare ishte 1000 euro”, tha Rama.
Në përfundim të komunikimit të tij, Rama theksoi se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara. “Shqipëria po bëhet një vend më i fuqishëm, më i respektuar dhe një aktor i rëndësishëm në politikat ndërkombëtare“, përfundoi ai.