Pas reshjeve intensive të shiut që përfshinë qytetin e Pejës dhe shkaktuan daljen nga shtrati të disa kanaleve, autoritetet lokale kanë bërë të ditur se situata është vënë nën kontroll.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Pejës, Gëzim Gashi, tha se të gjitha ekipet emergjente janë mobilizuar dhe kanë intervenuar menjëherë pas reshjeve.
“Pas reshjeve intensive që i pati qyteti i Pejës, kemi pasë disa kanale që kanë dalë nga shtretërit e tyre. Në terren kanë dalë të gjitha ekipet e zjarrfikësve dhe të operatorëve ekonomikë që janë në Komunën e Pejës, dhe të gjithë të tjerët jemi në terren,” deklaroi Gashi
Ai theksoi se falë intervenimeve të shpejta, gjendja është stabilizuar dhe kanalet kanë rifituar shtratin e tyre natyral.
“Shiu është ndalur dhe kanalet kanë hyrë në vendin e vet,” shtoi Gashi, duke siguruar qytetarët se situata është menaxhuar me sukses.
Komuna e Pejës njofton se ekipet do të vazhdojnë të qëndrojnë në gatishmëri për çdo nevojë të mundshme, ndërkohë që qytetarët këshillohen të jenë të kujdesshëm deri në normalizimin e plotë të kushteve.




