Nën patronazhin e Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, u mbajt Akademia Përkujtimore me rastin e 26-vjetorit të masakrës serbe në fshatin Studime
Kryetari i Vushtrisë, Ferit Idrizi, tha se edhe kësaj dite kryerësit e kësaj masakre mbetën të pandëshkuar.
“Masakra e 2 majit ka lënë gjurmë të mëdha të pashlyeshme. Që nga ajo ditë nuk u ndëshkuan kriminelët që e bënë këtë. Sot kujtojmë me dhimbje, ndajmë dhimbjet me familjet, por pa këtë ditë nuk do të ishte as kjo ditë me diell e as kjo ditë e lirë që e gëzojmë sot e që e kemi obligim të gjithë që të ndërtojmë institucionet, që të gjejmë rrugë të bashkohemi që të gjejmë rrugën e unitetit. Sot padrejtësisht mbahen dhe gjykohen krerët e UÇK-së Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Kjo tregon për padrejtësinë që po na bëhet”, tha kryetari Idrizi.
Ndërsa, kryeministri në detyrë Albin Kurti, theksoi se të rënët për liri nuk do të jenë asnjëherë të harruar
Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se kujtimi për të rënët për liri do të jetë i paharruar.
Ndërsa, Sokol Gjafa, në emër të familjarëve të dëshmorëve, bëri thirrje për unitet të spektrit politik.
“Kërkojmë që amaneti i tyre të mos harrohet në zyret e shtetit, ku shpeshherë apo ndonjëherë interesi personal po kalon mbi interesin e popullit. Ne si familjarë shpeshherë në zyrat e shtetit tonë nuk kemi hasur ndjeshmërinë, sinqeritetin dhe trajtimin nga pushtetarët të cilësdo kohë qofshin ata. Sot kur po shënojmë 2 majin, kemi një përçarje të thellë në mes spektrit politik dhe ajo çfarë ne po kërkojmë si familjarë është që ashtu siç ishin të unifikuar këtu të gjithë martirët dhe dëshmorët, të unifikohet spektri politik dhe që Kosovën ta shtyjmë përpara, siç është amaneti nga martirët dhe dëshmorët. Kosova nuk është pronë e askujt , por është amanet i dëshmorëve dhe martirëve të vendit”, tha ai.
22 vjet më parë, më 2 maj të vitit 1999, forcat serbe vranë dhe masakruan 116 civilë të pafajshëm shqiptarë. Këta të fundit u nxorën nga kolona e qindra njerëzve që kishin marrë rrugë për Shqipëri
Dëshmitarët kishin deklaruar se 116 civilët u pushkatuan brenda dy orëve.