Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj ndaj dy personave të dyshuar për vepra penale që lidhen me terrorizëm,
Në njoftimin e Gjykatës, theksohet se ky vendim është marrë pas pas kërkesës së Prokurorisë Speciale, ku është thënë se të pandehurit kanë përhapur ideologji ekstremiste dhe kanë përkrahur organizatën terroriste ISIS përmes rrjeteve sociale.
”Në njërën nga videot e publikuara i pandehuri D.B. ka shfaqur pamje të fytyrës së tij para një shtëpie ku valëvitet flamuri bardh e zi me simboliken e “ISIS”, me të cilat postime të njëjtit kanë shpreh armiqësi të thellë ndaj institucioneve shtetërore, Forcave të Sigurisë së Kosovës, liderëve politik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë atyre që nuk ndajnë ideologjinë e tyre ekstremiste”, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Tutje, në komunikatën e lëshuar për media shtohet edhe se, nëse dy të pandehurit do të liheshin në liri, ekzistonte rreziku i ikjes së tyre për t’i ikur përgjegjësisë penale, dhe se të njëjtit mund të ndikojnë në prova dhe në dëshmitarë, por edhe mund të përsërisin veprat e njëjta penale ose mund të kryejnë sërish vepra tjera penale.
Komunikata:
Departamenti Special ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurve D.B. dhe E.B., të dyshuar për vepra penale të terrorizmit
Prishtinë, 02 Maj 2025 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës lidhur me caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve D.B. dhe E.B., të dyshuar për veprat penale Nxitja e përçarjes dhe mos durimit dhe Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj në formacionet e jashtme paraushtarake ose para-policore në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës të datës 01.04.2025 për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve D.B. dhe E.B., ashtu që të njëtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, sepse nëse dy të pandehurit lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes së tyre, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si janë kryer veprat penale, mund lehtë të arratisen për t’i ikur përgjegjësisë penale, mund të ndikojnë në prova dhe në dëshmitarë si dhe mund të përsërisin veprat e njëjta penale ose mund të kryejnë sërish vepra tjera penale.
Gjykata konsideron se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë dhe rrezikshmëria shoqërore e tyre tejet e lartë andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se cdo masë tjetër do të ishte e pamajftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale.
Ekziston dyshimi i bazuar se në fshatin Shashkoc të Komunës së Prishtinës, të dyshuarit prej kohës së pavërtetuar e në vazhdimësi deri me datën 01.05.2025, kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje e mos-durim midis grupeve fetare si dhe kanë propaganduar ideologji ekstreme fetare në atë mënyrë që të njëjtit kanë postuar në “Tik-Tok” dhe “Facebook”, material duke e përkrahur organizatën “ISIS”, ashtu që kanë vendosur flamuj të organizatës terroriste “ISIS” mbi kulmin-çatinë e shtëpisë së tyre, kanë bërë grafitë me shkronja arabe në muret e shtëpisë së tyre, po ashtu përmes rrjeteve sociale, kanë propaganduar duke shpërndarë video përmes të cilave kanë shprehur qartë përkrahjen e ideologjisë së organizatës terroriste “ISIS”. Në njërën nga videot e publikuara i pandehuri D.B. ka shfaqur pamje të fytyrës së tij para një shtëpie ku valëvitet flamuri bardh e zi me simboliken e “ISIS”, me të cilat postime të njëjtit kanë shpreh armiqësi të thellë ndaj institucioneve shtetërore, Forcave të Sigurisë së Kosovës, liderëve politik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë atyre që nuk ndajnë ideologjinë e tyre ekstremiste. Dyshimi i bazuar se të pandehurit D.B. dhe E.B. kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen vërtetohet nga pjesëmarrja e tyre aktive në bashkëkryerjen e veprave penale si dhe shfaqjen publike të ideologjisë së tyre ekstreme.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.