Sot është vendosur gurthemeli i Kompleksit të Banimit të Përballueshëm dhe Social me gjithsej 71 banesa në komunën e Gjilanit.
Në komunikatën e ZKM-së, bëhet e ditur se kjo është bërë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka, deputetë të Kuvendit dhe bashkë me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni.
Komunikata:
Vendoset gurthemeli i Kompleksit të Banimit të Përballueshëm dhe Social me gjithsej 71 banesa në Komunën e Gjilanit
Gjilan, 6 maj 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka, deputetë të Kuvendit dhe bashkë me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, vendosën gurthemelin e kompleksit të Banimit të Përballueshëm dhe Social në këtë komunë.
Ky kompleks do të përbëjë gjithsej 71 njësi banesore, me ç’rast 57 banesa do të jenë për banim të përballueshëm dhe 14 banesa do të jenë për banim social. Sipërfaqja e gjithmbarshme ndërtimore e këtij kompleksi është afër 12.350 metra katrorë, kohëzgjatja e kontratës do të jetë tri vjet, dhe do të ketë katër tipe të banesave: 53 metra katrorë, 66 metra katrorë, 77 metra katrorë dhe 87 metra katrorë.
“Qysh në fillim të mandatit tonë qeverisës, patëm filluar me përgatitjet për banimin e përballueshëm dhe social, duke e vendosur në agjendë qeveritare dhe më pastaj duke bërë studimin e fizibilitetit për komunat e ndryshme të cilat kanë aplikuar dhe këtu në Gjilan po e kurorëzojmë sot me këtë gurthemel fillimin e punimeve të cilët, po ritheksoj, do të zgjasin gjithsej tre vjet.” u shpreh kryeministri Kurti.
Ai shtoi se përfitues do të jenë çiftet e reja, me ç’rast ato do të përfitojnë, nëse nuk e kanë të zgjidhur problemin e banimit, dhe gjithashtu, duhet që së paku njëri në çift, të jetë nën 37 vjeç. Këto banesa do të jenë edhe për familjet ku ka një prind vetushqyes.
Kryeministri falënderoi kryetarin e Komunës së Gjilanit, përfaqësuesit politikë në këtë komunë, si dhe Ministrinë e Mjedisit, të Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që kanë punuar në vazhdimësi që të arrijnë këtë rezultat, meqenëse banimi është domosdoshmëri, një gjë jetike ekzistenciale. Kësisoj, ky kompleks do të bëjë gjithsej 71 familje të lumtura në 71 banesa në Komunën e Gjilanit, qoftë të banimit të përballueshëm apo social.
Zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka, tha se me miratimin e Agjendës Qeveritare për Banim të Përballueshëm dhe Social në vitin 2021 nga Qeveria e Republikës së Kosovës, kemi synuar që për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të sigurohet banim i denjë, i përballueshëm dhe i qëndrueshëm. Ndërkaq Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, e vlerësoi projektin për implementimin e projektit për banim social dhe të përballueshëm në Gjilan si projekt jetik për qytetarët.
Ky projekt është një bashkëinvestim i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe komunave përfituese, ku komunat kontribuojnë me lokacionin dhe infrastrukturën e nevojshme. Deri tani janë nënshkruar katër kontrata me operatorët ekonomikë në shtatë llote në Komunat e Istogut, Gjilanit, Pejës dhe Podujevës, me vlerë totale prej 32,257,752.81 euro.
Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti:
Jemi këtu bashkë me kryetarin e Komunës, Alban Hysenin, me zëvendësministrin në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka, dhe me deputetët Liza Gashin, Arbëreshë Kryeziu-Hysenin dhe Arijeta Rexhepin, që të vëmë gurthemelin e ndërtesave për banim të përballueshëm dhe social këtu në Gjilan.
Bëhet fjalë për dy llote me ç’rast do të ndërtohen gjithsej 71 njësi banesore apo banesa. 57 do të jenë banim të përballueshëm, ndërkaq 14 do të jenë për banim social.
Sipërfaqja e gjithmbarshme ndërtimore është afër 12.350 metra katrorë. Kohëzgjatja e kontratës do të jetë tre vjet dhe do të ketë katër tipe të banesave: 53 metra katrorë, 66 metra katrorë, 77 metra katrorë dhe 87 metra katrorë.
Qysh në fillim të mandatit tonë qeverisës, patëm filluar me përgatitjet për banimin e përballueshëm dhe social, duke e vendosur në agjendë qeveritare dhe më pastaj duke bërë studimin e fizibilitetit për komunat e ndryshme të cilat kanë aplikuar dhe këtu në Gjilan po e kurorëzojmë sot me këtë gurthemel fillimin e punimeve të cilët, po ritheksoj, do të zgjasin gjithsej tre vjet
Ky projekt është bashkëinvestim i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në njërën anë dhe i komunës, në anën tjetër, me ç’rast Komuna e Gjilanit kontribuon me infrastrukturë përcjellëse dhe me lokacion.
Përfitues do të jenë çiftet e reja, me ç’rast ato do të përfitojnë, nëse nuk e kanë të zgjidhur problemin e banimit. Dhe gjithashtu, duhet të jetë që së paku njëri në çift, të jetë nën 37 vjeç. Këto banesa do të jenë edhe për familjet ku kemi një prind vetushqyes.
Trekëndëshi, ministri e komunë në njërën anë, Instituti për studime të banimit në anën tjetër, dhe gjithashtu Korporata Ndërkombëtare Financiare, ka funksionuar në mënyrë efikase dhe kemi ardhur deri tek kjo ditë që është lajm i mirë për të gjithë qytetarët e Gjilanit, për Komunën e Gjilanit dhe në veçanti për ato familje të cilat do të banojnë këtu.
Tash, është e rëndësishme të theksohet që komuna e Gjilanit është njëra nga pesë komunat bashkë me Pejën, Podujevën, Istogun dhe Kamenicën, për të cilët janë hartuar projektet ideore dhe ato kryesore
Në këto komuna kemi pasur edhe pajisje me kushtet ndërtimore, ndërkaq, në tri prej tyre, përfshirë edhe Gjilanin, janë edhe lejet ndërtimore. Deri tani janë nënshkruar katër kontrata me operatorët ekonomikë në shtatë llote në këto komuna, pra Gjilan, Istog, Pejë edhe Podujevë. Vlera totale është rreth 32,257,000 euro.
Unë e falënderoj shumë kryetarin e Komunës së Gjilanit, përfaqësuesit politikë këtu, drejtorët dhe asamblistët, Ministrinë e Mjedisit, të Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që kanë punuar në vazhdimësi që të arrijnë te kjo ditë e rëndësishme, meqenëse banimi nuk është luks, banimi është domosdoshmëri, është një gjë jetike ekzistenciale. Nuk mund të kemi jetesë të dinjitetshme pa banim të qëndrueshëm dhe do të bëhen në komunën e Gjilanit gjithsej 71 familje të lumtura në 71 banesa, qoftë të banimit të përballueshëm ose social.
Ju faleminderit edhe për punën që keni bërë si operatorë ekonomikë, meqenëse edhe operatorët ekonomikë kanë aplikuar, kanë përmbushur kriteret dhe kanë fituar, e tash uroj që punën ta bëjnë mbarë e mirë e sa më shpejt. Më së largu tri vjet, më shpejt bën, më ngadalë nuk bën.