Mesfushori i Barcelonës, Gavi, vazhdon të ankohet për gjyqtarin pas humbjes me rezultat të përgjithshëm 7-6 kundër Interit.
Barcelona pësoi një humbje të përgjithshme 7-6 ndaj Interit në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve dhe ka qenë shumë kritike ndaj gjyqtarit Szymon Marciniak
Pas ndeshjes, disa lojtarë të Barcelonës, trajneri Hansi Flick dhe madje edhe presidenti Joan Laporta fajësuan gjyqtarin polak. Reprezentuesi spanjoll Gavi ishte i fundit që e shprehu zhgënjimin e tij në rrjetet sociale
“Është vërtet e vështirë, veçanërisht duke ditur sa afër ishim. Ata nuk donin që ne të arrinim në finale sepse kishin frikë nga sezoni që po zhvillojmë”, shkroi Gavi në profilin e tij në Instagram.
“Nuk ka rëndësi sa vite kemi kaluar pa fituar Ligën e Kampionëve, edhe nëse e di që është e vështirë dhe do të doja ta fitonim çdo vit”.
“Jam i sigurt se do ta fitojmë nëse qëndrojmë të bashkuar. E di që do të vijë. Pavarësisht sa të frustruar jemi tani, ne prapë mund ta përfundojmë këtë sezon duke fituar tre trofe, diçka që askush nuk e priste para fillimit të sezonit”, përfundoi mesfushori.

Ndryshe, Interi do të takohet me PSG-në në finalen e Ligës së Kampionëve në Allianz Arena në Mynih më 31 maj dhe do të jetë finalja e dytë e Ligës së Kampionëve për Nerazzurrët në tre vitet e fundit.
Nerazzurrët humbën ndaj Manchester Cityt të Pep Guardiolës në Stamboll në vitin 2023.