Trepça është vetëm një fitore larg titullit të kampionit të Kosovës në basketboll (3-1), pasi mposhti Bashkimin në ndeshjen e katërt të serisë finale me rezultat 80:74, në një përballje tejet dramatike që u zhvillua të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori” të stërmbushur me tifozë.
Mitrovicasit e nisën ndeshjen në mënyrë të shkëlqyer, duke dominuar çerekun e parë të cilin e fituan me rezultat 33:26. Por reagimi i Bashkimit në çerekun e dytë ishte i jashtëzakonshëm – një rikthim i fuqishëm që ndodhet rrallëherë në ndeshje të këtij niveli, veçanërisht në finale.
Prizrenasit lejuan vetëm dy pikë për dhjetë minuta lojë dhe e fituan këtë çerek me rezultat të thellë 18:2, duke kaluar në epërsi 44:35 në përfundim të pjesës së parë.

Në fillim të pjesës së dytë, Bashkimi vazhdoi shkëputjen duke arritur një epërsi prej 15 pikësh (52:37). Por pikërisht në atë moment nisi kthesa e madhe e Trepçës – një seri e jashtëzakonshme prej 19:0 që ndryshoi rrjedhën e lojës.
Nga disavantazh i thellë, mitrovicasit kaluan në epërsi dhe e përfunduan çerekun e tretë me rezultat 63:60. Epërsinë e mbajtën deri në fund, duke e mbyllur ndeshjen me fitore prej 80:74 dhe duke kaluar në epërsi 3:1 në seri.
Michael Myers ishte lideri i Trepçës në këtë sfidë, duke kontribuar me 21 pikë, gjashtë kërcime dhe dy asistime. Mbështetjen më të madhe e mori nga Michael Green, i cili realizoi 16 pikë, shtatë kërcime dhe pesë asistime, ndërsa Drilon Hajrizi shtoi shtatë pikë, gjashtë kërcime dhe katër asistime.
Te Bashkimi shkëlqeu Wendell Green me 35 pikë, pas rikthimit nga mungesa për shkak të gripit, por përkundër performancës së tij individuale të shkëlqyer, skuadra e tij nuk arriti të përballojë presionin e vendasve.
Mack Smith kontribuoi me 17 pikë dhe 12 kërcime, ndërsa Jayveous McKinnis zhgënjeu me vetëm katër pikë dhe tri kërcime.