Sindikata e Punëtorëve të KRM “Pastrimi” ka dërguar një kërkesë urgjente drejtuar Komunës së Prishtinës lidhur me situatën e rënduar në ndërmarrje dhe përfshirje të sindikatës në proceset vendimmarrëse.
Në kërkesën e datës 15 maj 2025, Sindikata thekson se për më shumë se dy ditë, KRM “Pastrimi” e ka pasur të pamundur kryerjen e shërbimeve, për shkak të vendimeve të Komunës që kanë ndikuar negativisht në funksionimin e ndërmarrjes.
Një ndër vendimet më problematike ka qenë njoftimi i Komunës për qytetarët që nga data 1 janar 2025, ata nuk janë të detyruar të paguajnë faturat për grumbullimin e mbeturinave, duke shkaktuar një krizë financiare që ka bllokuar pagesat e pagave dhe furnizimin me pajisje të nevojshme.
“Ne, Sindikata e Punëtorëve të Ndërmarrjes Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastrimi”, ju drejtohemi me shqetësim të thellë lidhur me situatën e rënduar që ka prekur ndërmarrjen tonë dhe punëtorët tanë. Prej më shumë se dy ditësh, KRM “Pastrimi” është e pamundur të kryejë shërbimet për të cilat është e thirrur, si rezultat i veprimeve të Komunës së Prishtinës që kanë ndikuar negativisht në funksionimin e ndërmarrjes.
Veprimi i Komunës për të njoftuar qytetarët se nuk janë të detyruar të paguajnë faturat për grumbullimin e mbeturinave të lëshuara nga KRM “Pastrimi” nga data 1 janar 2025, ka shkaktuar një krizë financiare në ndërmarrje, duke pamundësuar pagesën e pagave të punëtorëve dhe furnizimin me mjetet e nevojshme për kryerjen e shërbimeve”.
Sindikata thekson se punëtorët, veçanërisht ata që punojnë në vijën e parë të shërbimeve, po përballen me vështirësi të mëdha për shkak të mungesës së mjeteve financiare.
“Aktualisht, punëtorët e KRM “Pastrimi”, veçanërisht ata në njësitë operative që janë në vijën e parë të shërbimeve, po përballen me vështirësi të mëdha për shkak të mungesës së mjeteve financiare dhe pamundësisë për të kryer detyrat e tyre të përditshme. Kjo situatë ka ndikuar negativisht në mirëqenien e tyre dhe në ofrimin e shërbimeve thelbësore për qytetarët e Prishtinës”.
Sindikata kërkon një bashkëpunim të ngushtë me të gjitha palët e përfshira për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme që garanton funksionimin e ndërmarrjes dhe mirëqenien e punëtorëve.
Kërkohet gjithashtu që të sigurohen mjete financiare për pagesën e pagave dhe furnizimin me pajisjet e nevojshme për shërbimet.
Po ashtu, Sindikata kërkon përfshirjen e saj aktive në proceset vendimmarrëse, duke argumentuar se zëri i saj është i domosdoshëm për të siguruar vendime të informuara dhe të drejta.
“Ne besojmë se është thelbësore që të gjitha palët e përfshira të bashkëpunojnë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme që garanton funksionimin e ndërmarrjes dhe mirëqenien e punëtorëve. Kjo përfshin sigurimin e mjeteve të nevojshme financiare për pagesën e pagave dhe për furnizimin me pajisjet e nevojshme për kryerjen e shërbimeve.
Si Sindikatë e Punëtorëve të KRM “Pastrimi”, ne jemi të bindur se përfshirja jonë aktive në të gjitha takimet dhe proceset vendimmarrëse që prekin ndërmarrjen është thelbësore. Duke qenë përfaqësuesit e drejtpërdrejtë të punëtorëve, është e domosdoshme që zëri ynë të dëgjohet dhe të merret parasysh. Përfshirja jonë do të sigurojë që vendimet të jenë më të informuara, më të drejta dhe më të përshtatshme për realitetin në terren, duke kontribuar në mirëqenien e përgjithshme të punëtorëve”.
Nëse kërkesat e Sindikatës nuk merren parasysh, punëtorët e KRM “Pastrimi” kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin hapa të tjerë deri në realizimin e kushteve për punë.
“Nëse nuk merren masa për zgjidhjen e kësaj situate, ne, punëtorët e KRM “Pastrimi”, do të jemi të detyruar të ndërmarrim hapa të tjerë deri në përmbushjen e kushteve tona për punë”, thuhet në shkresën që ka drejtuar Ardian Krasniqi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të KRM “Pastrimi”.