Gazetarja e njohur Zana Avdiu ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit në largim Albin Kurti, i cili është shprehur se “konstituimi i institucioneve nuk është me urgjencë”. Përmes një postimi ironik në rrjetet sociale, Avdiu ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj Kurtit, duke e cilësuar qasjen e tij si të papërgjegjshme për Kosovën.
Duke krahasuar zhvillimet rajonale, ajo sjell në vëmendje investimet e mëdha të Britanisë së Madhe në Maqedoninë e Veriut në vlerë prej 6 miliardë eurosh, si dhe mbështetjen e deklaruar të presidentit francez Emmanuel Macron për Shqipërinë, të cilën e ka cilësuar si “gati për BE përbrenda dy vitesh”. Në këtë kontekst, Avdiu nënvizon me shqetësim faktin që Kosova vazhdon të jetë nën sanksione dhe gjithnjë e më e izoluar ndërkombëtarisht.
“Në Kosovë çmimet janë rritur frikshëm, shëndetësia është drejt kolapsit, arsimi në gjendje të mjerueshme, pagat më të ulëta në rajon dhe ikjet nga vendi janë bërë fenomen masiv,” shkruan ajo, duke goditur direkt qeverisjen aktuale për neglizhencë dhe mungesë vizioni.
Kulmi i postimit të saj është përdorimi i një shprehjeje ikonike të vetë Albin Kurtit – “Çfarë hajvanash” – të cilën Avdiu e përdor me ironi, këtë herë duke e kthyer drejt qytetarëve që, sipas saj (aludohet se), kanë gabuar rëndë duke votuar një njeri që “po e izolon Kosovën çdo ditë e më shumë”.
Ky reagim i fortë i gazetares Avdiu vjen në një moment kritik për skenën politike në Kosovë, ku vonesat në formimin e institucioneve të reja po shoqërohen me pasiguri politike dhe presion të shtuar ndërkombëtar. Ndërkohë, qytetarët përballen me sfida të rënda sociale dhe ekonomike, në një realitet që po e humb çdo ditë e më shumë shpresën për ndryshim.
Për më shumë lajme dhe analiza, qëndroni me ne.

