Gjykata e lë në fuqi aktakuzën ndaj të akuzuarve për spiunazh, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi

by Nexhat

Gjykata e Prishtinës e ka lënë në fuqi aktakuzën ndaj të akuzuarve për spiunazh, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi me vendimin e datës 30.04.2025.

Shabani e Qerimi përmes avokatëve të tyre kanë bërë kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kanë kundërshtuar provat që i ka prezantuar Prokuroria në aktakuzë.

banner

Kjo mundësi i jepet çdo të akuzuari kur deklarohet në gjykatë se nuk e pranon fajësinë për veprat penale që Prokuroria pretendon se një person i ka kryer.

Kërkesat e të akuzuarve që të hedhet aktakuza, nuk kanë arritur ta bindin gjyqtarin, Rrahman Beqiri, pasi i njëjti i ka konsideruar kërkesat si të pa bazuara.

“Refuzohen kundërshtimet e provave dhe kërkesat për hedhjen e aktakuzës, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve: Bedri Shabani, av. Besnik Berisha; dhe Muharrem Qerimi, av. Betim Shala; të ushtruara kundër Aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës PPS.nr.79/2023, datë 19.02.2025, si të pabazuara”- thuhet në vendimin e Gjykatës së Prishtinës.

Avoakti Besnik Berisha që mbron Bedri Shabanin duke kundërshtuar provat e Prokurorisë, ka thënë se masat e veçanta hetimore të ndërmarra nga AKI-ja kanë filluar të aplikohen ndaj subjekteve të pa identifikuara që supozohet të përfshijnë Shabanin nga viti 2022 pa autorizim ligjor.

Tutje në provë tjetër që e ka kundërshtuar Berisha ka të bëjë me masat e përgjimit që sipas avokatit numri i telefonit dhe pajisja me asnjë provë nuk mund të vërtetohen se kanë qenë në pronësi të të akuzuarit.

Tutje Berisha pretendon se transkriptuara e përgjimeve është kundërligjore ngase, siç tha ai, në asnjë mënyrë nuk mund të lidhet me klienti e tij sikurse nuk mund të vërtetohet se pajisja e përgjuar ka qenë e Shabanit.

Tutje mbrojta e Shabanit thotë se Prokuroria nuk ka arritur të prezantojë prova se Srdjan Roshiq me të cilin pretendohet se Shabani ka biseduar, është agjendë e Shërbimit sekret serb.

Kurse avokati i Qerimit, Betim Shala ka thënë se pretendimi i PSRK se klienti i tij ka udhëtuar për në Serbi për të shkëmbyer informacione, sipas mbrojtjes ka prova në Serbi se i njëjti ka shkuar për kontrolle mjekësore duke shtuar se kalimi i kufirit nuk është vepër penale

Këto pretendime Gjykata e Prishtinës i ka konsideruar si të pa bazuara duke i lënë rrugën hapur mbrojtës dhe të akuzuarve që këtë vendim ta apelojnë në Gjykatë të Apelit.

Në raport me pikën a, mbrojtja pretendon numri i telefonit dhe pajisja me IMEI siç është specifikuar në urdhëresën 90/2023 me asnjë provë nuk vërtetohet se kanë qenë në pronësi të z. Shabani, dhe kjo e bënë përgjimin të pavlefshëm si provë kundër tij.

Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi nuk e kanë pranuar fajësinë për veprën penale të spiunazhit gjatë seancës fillestare të  mbajtur më 17.03.2025, në Gjykatën e Prishtinës. Qerimi e ka pranuar vetëm veprën penale “armëmbajtje pa leje”.

Dosja e Prokurorisë

Prokuroria Speciale e Kosovës më 19.02.2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrrem Qerimit për veprën penale – spiunazh. Aktakuza është ngritur nga prokurori Bekim Kodraliu.

Në aktakuzën e redaktuar të cilën e ka siguruar KALLXO.com, Bedri Shabani e Muharrem Qerimi dyshohet se i kanë dhënë informacione Shërbimit Sekret Serb (BIA), mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), masakrat në Kosovë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Policinë e Kosovës e Inspektoratin Policor të Kosovës.

Siç është përshkruar në aktakuzë, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi kanë zhvilluar takime fizike në Serbi me një zyrtar të lartë të BIA-s dhe një ish-komandant të Policisë së Serbisë dhe udhëheqës i operacionit policor-ushtarak në njërën nga masakrat që ishte kryer në Kosovë gjatë luftës.

Shabani e Qerimi akuzohen se këto informacione i transmetuan edhe përmes telefonave dhe e-mail-eve.

Të dyshuarit ngarkohen me veprën penale – spiunazhi, ndërsa Muharrem Qerimi edhe me veprën penale – armëmbajtje pa leje

“I pandehuri Bedri Shabani nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, e deri në momentin e arrestimit të tij, më 05.06.2024, ka ndihmuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë – BIA në mbledhje dhe dërgim të informacioneve, dokumenteve e materialeve, siç thuhet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – përfshirë eprorët e saj dhe me ngjarjet dhe objektet specifike, të tilla si Spitali Ushtarak i UÇK-së në fshatin (e redaktuar) dhe masakrën (e redaktuar).” – thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

“Informacione të tilla i akuzuar i kishte shpërndarë me zyrtarin e lartë të BIA-s, S.R., përgjegjës për (e redaktuar), si dhe kolonel, B.J., ish-komandant i Policisë së Serbisë (e redaktuar), gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe udhëheqës i operacionit policor-ushtarak në masakrën (e redaktuar), përmes komunikimeve telefonike, postës elektronike dhe takimeve fizike të zhvilluara në territorin e Serbisë.” – thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Bedri Shabani me këto veprime ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës. Tutje, i njëjti, ka ndihmuar Shërbimin Sekret Serb për krijimin e një narrative të pavërtetë, e cila ndërlidh Spitalin Ushtarak të UÇK-së me trafikim të organeve. Përveç kësaj, veprimet e të pandehurit kanë vënë, sipas aktakuzës, në dyshim të vërtetën mbi masakrën

Të gjitha këto veprime do të shkaktonin një konflikt të gjerë ndëretnik në territorin e vendit, thekson aktakuza.

Në anën tjetër, i akuzuari Muharrem Qerimi dyshohet se nga viti 2012 e deri në qershor të vitit 2024, përmes telefonit dhe takimeve fizike me një zyrtar të Shërbimit Sekret Serb ka dhënë informacione të ndryshme të cilat cenojnë sigurinë kombëtare të Kosovës.

“Ka ndihmuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë – BIA në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve të ndryshme, që kanë të bëjnë me luftën dhe pjesëtarët e UÇK-së, emrat e eprorëve të Policisë së Kosovës, AKI-së, IPK-së. Pastaj, emrat e dëshmitarëve tashmë të njohur të (e redaktuar), në lidhje me veprat penale të krimit të organizuar, korrupsionit, e të cilat informacione ia ka transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, S.R, përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike, që ka zhvilluar në territorin e Serbisë.” – thuhet në aktakuzë.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, i dyshuari Muharrem Qerimi ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Kosovës

Muharrem Qerimi ngarkohet edhe me veprën penale – armëmbajtje pa leje, pasi më 05.06.2024 gjatë kontrollit i është gjetur një revole e tipit “Ekol Tuna”, me kalibër 8 milimetër, një karikator me gjashtë fishekë në të dhe 20 fishekë të tjerë 11/53 dhe katër karikatorë me shenjën e gjysmëhënës dhe një rrumbullak. Të gjitha këto janë sekuestruar nga Policia e Kosovës. /Kallxo

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy