Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë ka zhvilluar një aksion në Njësinë e Patentë Shoferëve, në kuadër të hetimeve për korrupsion dhe krime ekonomike.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, gjatë këtij operacioni janë ndaluar dy persona me vendim të prokurorit të Departamentit për Krime të Rënda, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “Marrja e ryshfetit” sipas nenit 421 dhe “Ushtrimi i ndikimit” sipas nenit 424 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të ndaluarit janë zyrtarë publikë, të cilët dyshohet se i kanë kërkuar dhe pranuar para ryshfet nga një kandidate, me qëllim që ajo të kalojë testin praktik të vozitjes. Sipas Prokurorisë, pas pranimit të shumës, kandidates i është mundësuar kalimi i testit.
Ndaj dy zyrtarëve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa Prokurori i Shtetit ka paralajmëruar se brenda afateve ligjore do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për grumbullimin e provave dhe avancimin e hetimeve.
“Prokuroria e Prishtinës mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për parandalimin e këtyre veprave, si dhe dërgimin para gjykatës të secilit kryes të këtyre veprave penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.