E ardhmja e Leroy Sane te Bayern Munich është në pikëpyetje pas refuzimit të tij për të rinovuar kontratën me klubin bavarez. 28-vjeçari ka vendosur të mos e pranojë ofertën aktuale të klubit për zgjatjen e bashkëpunimit.
Sipas ‘Bild’, pas këtij zhvillimi, disa klube të mëdha kanë filluar të lëvizin për ta afruar anësorin gjerman. Galatasaray ka dorëzuar një ofertë zyrtare me shkrim prej 10 milionë eurosh në vit, duke shpresuar ta bindë lojtarin me një projekt ambicioz.
Oferta e klubit turk mbetet më e ulët krahasuar me propozimin e Bayernit, i cili ofroi 10 milionë euro plus 5 milionë në bonuse. Megjithatë, refuzimi i Sane lidhet më shumë me çështje përfaqësimi sesa me aspektin financiar.

Pas ndërrimit të agjentit dhe bashkëpunimit me Pini Zahavi, kërkesat e reja për kontratë nuk u mirëpritën nga Bayern, duke krijuar një ftohje në marrëdhënie. Situata u ndërlikua më tej kur u anulua marrëveshja fillestare për një kontratë trevjeçare.
Interesimi për Sanen nuk mungon. Përveç Galatasarayt, në garë janë edhe disa klube nga Arabia Saudite, Liga Premier dhe Napoli, kampioni i ri i Serie A, që kërkon përforcime në krahët e sulmit
Këtë sezon Sane ka kontribuar me 13 gola dhe 6 asistime në 44 paraqitje, duke konfirmuar vlerën e tij në fushë, edhe pse forma e tij ka qenë e paqëndrueshme në disa faza.