Policia e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjilan kanë arrestuar G.J. (viti i lindjes 1986) dhe A.A. (viti i lindjes 2000) nën dyshimin se kanë mashtruar qytetarë të ndryshëm në rajonin e Gjilanit.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan (NJRHKEK-Gjilan), në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, gjatë zhvillimit të hetimeve disa mujore, ka siguruar prova të besueshme për dyshime se i dyshuari G. J., (viti i lindjes 1986) në bashkëpunim me të dyshuarin A. A., (viti i lindjes 2000) kanë mashtruar qytetarë të ndryshëm në rajonin e Gjilanit.”
Ata dyshohet se përmes paraqitjes së rreme dhe mashtruese, kanë arritur t’i vënë qytetarët në lajthim dhe t’i nxisin ata të nënshkruajnë kontrata si dhe të bëjnë pagesa për avans pa marrë më pas produktet e premtuara.
Gjatë hetimeve janë identifikuar 13 person të dëmtuar në Gjilan e Viti.
Ata janë futur në obligime kontraktuale në vlerë prej 24 mijë e 607 euro, derisa nëntë prej tyre kanë paguar avans 3 mijë e 494 euro me premtimin se produkti dhe dhuratat do t’iu dorëzohen pas nënshkrimit të kontratave. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Gjatë hetimeve, NJRHKEK-Gjilan, ka identifikuar 13 persona të dëmtuar në komunat e Gjilanit dhe Vitisë. Këta qytetarë janë futur në obligime kontraktuale në vlerë totale prej 24,607.00 €, ndërsa 9 prej tyre kanë paguar edhe avans në shumën prej 3,494.00 €, me premtimin se produkti dhe dhuratat do t’iu dorëzoheshin pas nënshkrimit të kontratave, gjë që nuk ka ndodhur. Me këto veprime është krijuar dyshim i bazuar se të dyshuarit kanë kryer veprën penale: “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve” dhe “Mashtrim”. Të dyshuarit me datën 20.11.2025 janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve në prezencën e avokatit sipas detyrës zyrtare, me aktvendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.”