Në Kosovë po mbahet Forumi i 3-të Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ku e pranishme ishte edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, që e cilësoi aktivitetin një nismë të guximshme të udhëhequr nga arsyetimi që përfshirja e grave nuk është një element opsional i zhvillimit dhe paqes, por është vetë themeli i tyre.
Spiropali kujtoi se forumi mbahet në vendin ku plagët dhe traumat e luftës, tragjeditë që kanë përjetuar gratë, vajzat dhe fëmijët e pafajshëm të Kosovës, janë ende shumë të gjalla.
“Në rajonin tonë ne të gjithë e dimë fare mirë çmimin e tmerrshëm të konflikteve, dhe pikërisht për këtë edhe fuqinë e madhe të pajtimit. Megjithatë, ekziston një e vërtetë e hidhur: gratë dhe fëmijët janë ata që paguajnë gjithmonë çmimin e rëndë të luftërave dhe konflikteve. Por ne gjithashtu e dimë që gratë, kur i është dhënë mundësia, e për më tepër kur janë fuqizuar, kanë qenë faktor ndryshimi, arkitekte të paqes dhe kompasi moral i shoqërive tona”.
Prandaj siç tha ajo: “ Kosova, me mençurinë e saj, pavarësisht mizorive të tmerrshme që ka kryer regjimi i Millosheviqit, nuk ra kurrë në grackën e hakmarrjes; Përkundrazi, punoi pa u lodhur për ta kthyer dhimbjen në forcë, punoi për ti dhënë fund luftërave dhe për të shmangur konfliktet, investoi tek liria dhe sovraniteti i kombeve dhe popujve. Realiteti i sotëm, ky forum, flasin vetë. Ata përkthejnë dhe pasqyrojnë dëshirën e madhe të Kosovës, ndjenjën e thellë të humanizmit, angazhimin e saj për paqen, për fuqizimin e grave në çdo fushë të jetës, përfshi rolin e tyre si paqe bërëse dhe siguri garantuese”.