Abrazhda: Patjetër që Kosova duhet të hyjë në NATO, s’ka dyshim për mbështetjen e Shqipërisë

by Nexhat

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Blerina Abrazhda, në një intervistë për Ekonomia Online tha se Kosova duhet të anëtarësohet në NATO pa kushte, duke theksuar se Shqipëria do të mbështesë gjithmonë aspiratat euroatlantike të shtetit të Kosovës.

Sipas saj, pavarësisht zhvillimeve në veri të vendit, shtetësia dhe sovraniteti i Kosovës nuk mund të vihen në diskutim.

banner

Ajo theksoi se situata gjeopolitike globale është më komplekse se kurrë më parë, duke nënvizuar rëndësinë e një pozicionimi të qartë në bllokun euroatlantik.

“Situata gjeopolitike është e komplikuar kudo në botë, nuk është vetëm rajoni ynë. Ndoshta le të themi në 20-30 vitet e fundit nuk ka pasur situatë më komplekse se kjo që jemi sot, pavarësisht luftërave në Ballkan. Është zgjeruar shumë rrjeti i problemeve gjeopolitike që po kemi sot. Shqipëria në të gjitha nivelet e lidershipit që nga kryeministri e gjithë nivelet e tjera është përgjithmonë si suportuesi më i madh i Kosovës. E para ne suportojmë hyrjen e Kosovës në NATO dhe kjo është:  patjetër që Kosova duhet të hyjë në NATO. Nuk ka dyshim për mbështetjen tonë, e cila do të vazhdojë gjithmonë e pakursyer. Nuk ka forum ndërkombëtar, ku kryeministri Rama, ministri Peleshi, gjithashtu edhe unë e gjithashtu edhe ministri i Punëve të Jashtme që marrim pjesë, nuk përmendet anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe avancimi i gjithçkaje për Kosovën për hyrjen në mekanizma ndërkombëtarë”, tha ajo.

Ajo e cilësoi Kosovën si një projekt të suksesshëm të NATO-s dhe një shembull të arritjeve të organizatës në rajon.

Abrazhda qartëson se procesi i anëtarësimit në NATO është i vështirë për shkak të faktorëve gjeopolitikë. Ajo theksoi se mbështetja e Shqipërisë për Kosovën nuk është thjesht vëllazërore, por mbështetje shtetërore dhe strategjike.

“Që Kosova duhet të anëtarësohet në NATO ajo duhet që të jetë me patjetër, pa marrë parasysh se çfarë po ndodh në veri të Kosovës ose jo. Kosova si shtet i pavarur dhe sovran në një regjion ku mbështet integrimin euroatlantik, në një regjion ku Kosova është projekti më i suksesshëm i NATO-s, së paku që nga formimi i NATO-s. Është një nga misionet më të mëdha që NATO ka sot realisht. Duhet patjetër të hyjë në NATO. Ka një forcë të armatosur, e cila është e kompletuar, ka një sovranitet si shtet, ka Kushtetutën, i ka të gjitha elementet për të hyrë. Natyrisht, mekanizmat e anëtarësimit janë nivel shumë i lartë politik i komplikuar për arsye të ndryshme gjeopolitike. Mbështetja nuk do të mungojë, por Kosova nuk duhet ta harrojë asnjëherë që mbështetja e Shqipërisë ndaj Kosovës nuk është vetëm mbështetja vëllazërore, por është edhe mbështetja e Shqipërisë si anëtare e NATO-s”, tha ajo.

Zëvendësministrja përmendi edhe përkrahjen ndërkombëtare që Shqipëria ka mobilizuar për Kosovën.

“Me mbështetjen tonë është një grup i 32 shteteve që do ta mbështesin Kosovën përherë dhe gjithmonë. Nuk ka kthim prapa në çështjen e Kosovës, kjo duhet të jetë e qartë. Se çfarë shtete të tjera bëjnë dhe si organizohen ndoshta janë gabime të tyre gjeopolitike, ndoshta janë strategji të tyre që mendojnë që do të jenë më të suksesshme, por duke qenë se si bota sot është ndarë gjeopolitikisht në dy kampe të ndryshme, ne si shqiptarë të gjithë, si në Shqipëri dhe në Kosovë jemi në kampin e duhur”, tha për EO, Abrazhda. /EO/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy