Mbrojtësi i Algjerisë, Rayan Aït-Nouri, i është bashkuar Manchester Cityt nga Wolverhampton Wanderers me një kontratë pesëvjeçare, përpara pjesëmarrjes së klubit në Kupën e Botës për Klube këtë muaj.
Detajet financiare nuk u bënë publike, por mediat britanike raportojnë se City ka paguar rreth 33.7 milionë euro për të siguruar shërbimet e 24-vjeçarit, i cili kishte edhe një vit të mbetur në kontratën me Wolves.
Aït-Nouri fillimisht iu bashkua Wolves në formë huazimi nga skuadra franceze Angers në vitin 2020, për ta bërë më pas transferimin të përhershëm një vit më vonë.
Ai largohet nga Wolves pas pesë sezonesh, gjatë të cilave ka zhvilluar 157 paraqitje, duke shënuar 12 gola dhe dhënë 19 asistime.
Rayan Ait-Nouri has completed his move to City! 🩵 pic.twitter.com/Gliqsdl7fX
— Manchester City (@ManCity) June 9, 2025
Duke folur për faqen zyrtare të klubit, Aït-Nouri u shpreh:
“Jam jashtëzakonisht i lumtur dhe i nderuar që i jam bashkuar Manchester Cityt. Jam gjithashtu shumë i entuziazmuar që do të punoj dhe mësoj nga Pep dhe stafi i tij teknik, si dhe të stërvitem dhe të luaj përkrah një grupi lojtarësh të klasit botëror”.
Wolverhampton tashmë është pa dy nga lojtarët e tyre kyç të sezonit të kaluar, pasi sulmuesi brazilian Matheus Cunha iu bashkua Manchester United më 1 qershor.
Manchester City përfundoi në vendin e tretë në sezonin 2024/2025 në Ligën Premier dhe siguroi një vend në Ligën e Kampionëve vetëm në javën e fundit të kampionatit.
Skuadra e Pep Guardiolës do të jetë në aksion në Kupën e Botës për Klube në Shtetet e Bashkuara, ku do të përballet në ndeshjen e parë më 18 qershor ndaj Wydad AC, përpara se të luajë ndaj Al-Ain dhe Juventus në ndeshjet e tjera të Grupit G