Kompania për Furnizim me Energji Elektrike në Kosovë (KESCO) ka bërë të ditur se prodhimi vendor i energjisë elektrike vazhdon të jetë i kufizuar, duke detyruar autoritetet të mbështeten në import për të garantuar furnizimin e qëndrueshëm për qytetarët.
Aktualisht, njësia A3 në Termocentralin “Kosova A” është e vetmja që funksionon, duke prodhuar rreth 110 megavatë energji. Sipas KESCO-s, kjo sasi është larg kapacitetit të nevojshëm për të përmbushur kërkesën, e cila ka shënuar rritje të konsiderueshme në ditët e fundit për shkak të temperaturave të larta dhe përdorimit të shtuar të pajisjeve për ftohje.
“Për të siguruar furnizim pa ndërprerje, kemi siguruar importet e nevojshme nga tregjet ndërkombëtare dhe jemi të përkushtuar të mbulojmë të gjitha nevojat e konsumatorëve,” thuhet në njoftimin zyrtar të kompanisë.
KESCO njëherësh ka apeluar për vetëdijesim qytetar, duke kërkuar që konsumatorët të kontribuojnë në uljen e konsumit të panevojshëm të energjisë.
“Çdo kilovat-orë i kursyer ndihmon në lehtësimin e sistemit dhe ul koston për të gjithë,” thekson njoftimi.
Në pritje të rikthimit në funksion të njësive të tjera prodhuese, mbetet thelbësore që qytetarët dhe bizneset të aplikojnë praktika më efikase të shfrytëzimit të energjisë, për të kaluar më lehtë këtë periudhë me sfida të përkohshme në sektorin energjetik.