Komuna e Gjakovës, përmes një njoftimi zyrtar, ka paralajmëruar qytetarët për rrezikun potencial të mungesës së ujit të pijshëm, pavarësisht se furnizimi aktual është i qëndrueshëm.
Lajmërimi bazohet në informacionet e pranuara nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova”, e cila ka identifikuar keqpërdorime të mëdha të ujit, përfshirë ujitjet ilegale dhe shpenzimet joracionale në nivel shtëpiak.
Autoritetet lokale kanë bërë thirrje për vetëdije dhe përgjegjësi kolektive në përdorimin e ujit, duke theksuar se abuzimi me këtë burim jetik rrezikon cilësinë dhe vazhdimësinë e shërbimit për të gjithë qytetarët.
“Uji nuk është i pakufizuar. Sjellja e pakujdesshme e disave mund të kthehet në krizë për të gjithë,” thuhet në apelin zyrtar.
Komuna gjithashtu ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të organeve kompetente për të ndërmarrë masa ligjore ndaj atyre që keqpërdorin ujin ose dëmtojnë interesin publik.