Autori: Kastriot Jahaj, Publicist
Urat, që kanë madhështinë e tyre të afrimit dhe lidhjes së popujve, shpeshherë bëhen edhe simbole të rezistencës dhe krenarisë kombëtare të shumë popujve, duke u bërë edhe më madhështore. Qeveria e Kosovës ka të drejtën e botës që të ndërtojë ura për të lidhur njerëzit. Por, ky është vetëm një argumentim i thjeshtë teknik për funksionet që kryejnë urat, dhe nuk mund të vlejë për dy ura paralele me urën kryesore mbi Ibër.
Më 17 Shkurt 2008, ditën e shpalljes së Pavarësisë, derisa po festonim me kolegët e “Kohës Ditore”, na erdhi një njoftim për shpërthime bombash në Mitrovicën Veriore. Shkuam për të raportuar nga atje dhe veriun e gjetëm të zymtë, nuk kishte lëvizje. Nuk ngjasonte aspak me pjesën tjetër të vendit ku po festohej shpallja e Pavarësisë. Bisedova me një koleg gazetar të komunitetit serb atje dhe më tha që bombat duket se janë vetëm shprehje e pakënaqësisë, pa një target specifik.
Derisa po binte terri, shkova për vizitë në Urën e Ibrit. Gjithçka dukej e qetë dhe kishte vetëm forca të KFOR-it mbi të. Kolegu serb erdhi të më takonte te ura kryesore mbi Ibër. Po kaloja urën dhe vetëm pak metra pa e takuar fizikisht, më telefonoi dhe më tha që i duhej të kthehej sepse kishte shumë roja të urës. Ndërsa pjesëtarët e KFOR-it, që nuk më ndaluan, më sugjeruan të mos e kaloj urën dhe kishin shumë të drejtë. Serbët e veriut nuk po e kontrollonin të gjithë veriun, por ishin kujdestarë të devotshëm të urës.
Qëllimi i tyre atëherë dhe sot mbetet që ajo urë të mos kalohet lirshëm nga shqiptarët. Ata duan që një ditë, ajo urë, të njihet si simboli i rezistencës, si kufiri, si objekti kryesor infrastrukturor që do t’i thërras ndërgjegjës se secilit serb atje, për ta ruajtuar atë që ata pretendojnë se është e tyre. Dhe pyetja që duhet t’i bëjmë vetit sot është, a po jetësohet kjo simbolikë e rezistencës së serbëve të pasluftës në Kosovë?
Urat, që kanë madhështinë e tyre të afrimit dhe lidhjes së popujve, shpeshherë bëhen edhe simbole të rezistencës dhe krenarisë kombëtare të shumë popujve. E tillë është edhe ura Hien Luong mbi lumin Ben Hai në Vietnam. Edhe pse me një konflikt krejt ndryshe nga situata me urën mbi lumin Ibër, dhe një kontekst krejt tjetër politik, e përbashkëta me urën tonë është se, megjithëse lumi ndante vendin në Vietnamin Verior dhe Jugor, ura Hien Luong ishte pika e rezistencës. Ajo duhej të binte dhe veriorët të mbroheshin nga jugorët. Gjysma e urës ngjyrosej me ngjyrë të kaltër, ndërsa gjysma tjetër me ngjyrë të verdhë nga pala kundërshtare… dhe rezistenca që bëhej te kjo urë, kishte bërë që ajo të mbetej e mbyllur për më shumë se 20 vite.
Lufta në Vietnam përfundoj në vitin 1973, ndërsa ura u hap dy vite më vonë. Ajo urë u hap dhe u njoh si relikt historik nga vietnamezët nga të dyja anët. Ky relikt nga druri, hekuri e betoni, dikur symbol i ndarjes sot është simbol i bashkimit të Vietnamit Jugor dhe Verior. Dhe, për ta ruajtur këtë simbolikë, edhe pse e dobët, vietnamezët nuk e rrënuan urën.
Atë e përforcuan dhe ndërtuan një urë tjetër ngjitur me të, për t’i shërbyer qytetarëve nga të dyja anët që të kalojnë lirshëm në këmbë dhe me vetura. Ka dhe shumë ura të tjera me histori specifike sigurisht, por që simbolizojnë rezistencën e popujve dhe ruhen si të tilla.
Sot, mbi lumin Ibër, u vendos gurthemeli për ndërtimin e dy urave të reja, paralel me Urën e Ibrit. Qeveria e Kosovës ka të gjithë të drejtën e botës që të punojë për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve në të dy anët e Ibrit. Qeveria e Kosovës ka të gjithë të drejtën e botës të ndërtojë ura për të lehtësuar qarkullimin e mallrave. Por, Qeveria e Kosovës dhe Albin Kurti nuk mund dhe nuk guxojnë të kufizohen vetëm në argumentim teknik, për shkak se të gjithë e dimë se për çka shërbejnë urat.
Fakti që dy ura po ndërtohen paralelisht me Urën e Ibrit, dhe ekzistuesja nuk po hapet për qarkullim, po i mundëson komunitetit serb në Kosovë që ta forcojë edhe më shumë simbolin e tyre të rezistencës. Dhe këtu, përtej aspektit teknik, lindin shumë pyetje që Qeveria duhet t’u përgjigjet. Pse Qeveria e Kosovës po dorëzohet në hapjen e urës ekzistuese? Pse nuk po hapet ajo? A po pranohet simbolika e rezistencës së komunitetit serb në atë pjesë të vendit? Pse Qeveria e Kosovës po e lartëson atë urë, duke e bërë të duket e paprekshme? A po forcohet argumenti i komunitetit serb se ajo urë është e paprekshme?
Dhe, natyrisht se këto pyetje nuk e kanë asnjë përgjigje logjike dhe të favorshme për pasojat që do të bartë vendi ynë në të ardhmen. Ne, natyrisht se nuk mund të qëndrojmë duarkryq dhe të presim deri në pafundësi për hapje të Urës mbi Lumin Ibër. Mirëpo, duke ndërtuar dy ura paralele, po dorëzohemi karshi një simbolike të serbëve të mbështetur dhe nxitur nga Beogradi. Gurthemeli i dy urave të reja, paralel me atë ekzistuesen, është legjitimim i rezistencës serbe se Ura nuk guxon të preket.
Natën e 17 Shkurtit 2008, nuk pata arritur ta kaloj urën kryesore mbi lumin Ibër, mirëpo në veri shkova duke shfrytëzuar urën në Lagjen e Boshnjakëve, vetëm pak më tutje se ura kryesore. Edhe sot, krahas urës në Lagjen e Boshnjakëve, ka dhe ura të tjera lehtë të qasshme për të kaluar nga jugu në veri dhe anasjelltas. Andaj, problemi mbi lumin Ibër nuk është aspak i karakterit infrastrukturor dhe nuk guxon të injorohet, këtë e dijmë të gjithë. Ura për të kaluar në atë pjesë ka.
Argumenti kryesor që Qeveria në detyrë e Kosovës po e jep për ndërtimin e dy urave është “lehtësimi i qarkullimit të njerëzve dhe mallrave”. Sot, secila urë e re që ndërtohet në Kosovë mund ta ketë këtë funksion, vetëm ato dy ura jo. Qeveria në detyrë e Kosovës, ashtu si kishte premtuar, duhet t’i vazhdojë përpjekjet që ta hapë urën ekzistuese. Kështu kanë premtuar dhe kështu duhet të bëjnë.

