Dalai Lama ka shpallur zyrtarisht se institucioni i tij shpirtëror do të vazhdojë edhe pas vdekjes, një vendim që pritet të ndezë tensione të forta me Kinën dhe të ndikojë në marrëdhëniet globale.
Në një deklaratë me rastin e 90-vjetorit të tij, Tenzin Gyatso, lideri shpirtëror i budizmit tibetian, tha se pasardhësi i tij do të zgjidhet jashtë Kinës, në të ashtuquajturën “botë e lirë”. Ai konfirmoi gjithashtu se procesi do të drejtohet nga autoritetet tibetiane në mërgim, pa përfshirë Pekinin.
Ky vendim sfidon drejtpërdrejt pretendimet e Kinës, e cila këmbëngul se ka të drejtën për të konfirmuar reinkarnimin, duke paralajmëruar se “asnjë individ nuk mund të vendosë vetëm për këtë proces”. Pekini druhet se humbja e kontrollit mbi figurën e Dalai Lamës mund të minojë autoritetin e saj në Tibetin strategjik, një rajon i pasur me burime natyrore dhe i rëndësishëm për stabilitetin kufitar me Indinë.
Rreziku më i madh është emërimi i dy Dalai Lamëve: një i njohur nga Perëndimi dhe komuniteti tibetian në mërgim, dhe tjetri i vendosur nga Kina – siç ndodhi me Panchen Lamën në vitin 1995.
Tensionet kanë marrë edhe dimension ndërkombëtar: së fundmi, delegacione të nivelit të lartë nga SHBA kanë vizituar Dharamsalën, ndërsa administrata Biden ka miratuar ligje që forcojnë mbështetjen për Tibetin. Kina paralajmëron se vendet që njohin Dalai Lamën “e mërgimit” mund të përballen me pasoja, ashtu si në rastin e Tajvanit.
Çështja e trashëgimisë së Dalai Lamës duket se po shndërrohet në një vijë të re të kuqe në raportet e ndërlikuara të Pekinit me Perëndimin.