Muxhahedinë apo ish-terroristë? Vrasje, frikë e të pathëna për kampin! Rrëfehen banorët e Manzës!

by informim

Organizata Muxhahedinët Popullorë të Iranit MEK u krijua në fillim të viteve 1960 si lëvizje proteste kundër regjimit të Shahut të Iranit.

MEK ishte ndër nxitësit dhe mbështetësit kryesorë të Revolucionit Iranian të vitit 1979, i cili rrëzoi regjimin e Shahut. Pas revolucionit, në Iran u vendos një sistem teokratik islamik nën udhëheqjen e Ajatullah Khoeminit, që hasi kundërshtinë e ashpër të MEK-ut që ishte kundër autokracisë islamike.

banner

Si pasojë, regjimi Iranian filloi persekutimin e anëtarëve të organizatës që detyroi drejtuesit e saj dhe mijëra anëtarë të emigronin. Shumica e tyre u mirëpritën në Irak nga Sadam Huseini. MEK, bashkëpunoi ngushtë me regjimin e Sadam Huseinit, si gjatë luftës Irak-Iran edhe pas saj. Pas pushtimit të Irakut, forcat amerikane dhe muxhahedinët negociuan një pakt paqeje, në bazë të të cilit muxhahedinët dorëzuan armët dhe premtuan t’i ktheheshin jetesës paqësore civile. Bashkë me tërheqjen e amerikanëve nga Iraku lindi nevoja e gjetjes së një zgjidhje të problemit të muxhahedinëve.

Për këtë arsye, në vitin 2012, qeveria amerikane e hoqi organizatën nga lista e organizatave terroriste, dhe filloi të kërkonte mundësi për sistemimin e tyre në vende të ndryshme të botës. Në vitin 2013 me një ndërmjetësim të amerikanëve dhe OKB-së u vendos që ata të zhvendoseshin në një vend tjetër, që ishte Shqipëria. Në total në Shqipëri deri më sot kanë ardhur rreth 3000 muxhahedinë të zhvendosur prej Irakut, ku 73 % e tyre janë meshkuj dhe 27% janë femra.

Qëndrimi i tyre në vendim tonë sipas marrëveshjes së vitit 2013 është vetëm për qëllime humanitare.

Ndërsa, sot në vitin 2023 situata ka ndryshuar dhe autoritetet ligjzbatuese shqiptare po e hetojnë këtë organizatë për veprime të paligjshme dhe në kundërshtim me marrëveshjen e nënshkruar për strehimin e tyre në Shqipëri

Më 20 qershor, qindra efektivë Policie, forca RENEA dhe njësia e anti-terrorit kryen kontrolle të imtësishme në kampin e muxhahedinëve në Manzë të Durrësit.

Operacioni i Policisë së Shtetit ishte në zbatim të urdhrit të SPAK dhe vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Vendimi i Gjykatës është pasojë e veprimeve që bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK që kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. SPAK kishte regjistruar procedimin penal më 15 maj të vitit 2023 për disa vepra penale si “Provokim i luftës”, “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”. “Keqpërdorimi i pajisjeve” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Procedimi penal është regjistruar pasi SPAK, dyshon se Muxhahedinët në Manzë kanë kryer sulme kibernetike në periudha të ndryshme ndaj shtetit të Iranit dhe institucioneve iraniane. Kur efektivët u afruan të sekuestronin pajisjet kompjuterike dhe serverat ata u ndeshën me një rezistencë të fortë të muxhahedinëve.

Muxhahedinët nuk pranuan që të lëshonin kompjuterët e kampit, me pretendimin se duhet të ishin njoftuar. Por, policia e shtetit kishte lajmëruar ditë më parë me shkresa zyrtare përfaqësues të kampit të MEK që do të kryenin kontrolle në bazë të një vendimi të Gjykatës së Posaçme. Policia vijoi operacionin e saj, duke lëshuar spraj inidividual për të shpërndarë turmën, spraj i cili nuk sjell asnjë lloj pasoje jetësore. Si pasojë e përplasjes, u lënduan 21 muxhahedinë, edhe pse ata pretendonin për mbi 100 persona të lënduar, në spital morën ndihmë mjekësore 21 persona, po ashtu mbetën të lënduar edhe 15 efektivë policie.

Muxhahedinët pretendonin se një nga ata humbi jetën si pasojë e dhunës policore. Trupi i viktimës, Ali Mostashari, rreth 79 vjeç u dërgua në morg dhe nga këqyrja paraprake nuk u konstatua asnjë shenjë dhune dhe dyshohet se i moshuari ka ndërruar jetë si pasojë e problemeve shëndetësore, më parë se policia të futej në kampin e MEK për të kryer kontrolle.

Dyshues ishte edhe fakti se menjëherë pasi muxhahedinët deklaruan se një person ndërroi jetë, ata u shfaqën të gjithë më qindra foto në duar të personit që kishte vdekur, ende nuk është kuptuar se si ata foto u printuan aq shpejt, kur policia kishte sekuestruar pajisjet kompjuterike në kamp. Efektivët e shumtë pas përfundimit të kontrollit u larguan nga kampi, i cili mbetet ende i rrethuar.

Por, ajo çfarë kërkuam të merrnim, ishte mendimi i banorëve të Manzës, çfarë dinin ata për muxhahedinët dhe çfarë nuk është thënë për ta deri më sot, cila ishte marrëdhënia e tyre me këto të fundit. Shkuam në fshatin Manzë dhe ajo që konstatuam ishte se banorët tashmë ishin të frikësuar pas asaj që ndodhi dhe edhe pse pranuan të flisnin në kamera nuk donin të identifikoheshin.

Banorët tregojnë se muxhahedinët e njohin shumë mirë zonën dhe se lëvizin lirshëm edhe jashtë kampit dhe kudo që shkonin, mbanin harta me vete dhe vendosnin nga një shenjë në çdo vend që shkelnin për herë të parë.

“Para një viti, ata sikur u çliruan, filluan të dilnin më shpesh, filluan të bënin pazare, madje që mbas kodrave, ata ecnin në këmbë dhe pas kur dilnin afër shtëpive thonin që “kemi ngatërruar rrugën”, kur shikonin që i pikasnin banorët dhe këta të fundit i kishin hapur derën dhe pa të keq i ndihmonin. Ndërkohë që ata nuk ishin arsye që të merrnin rrugën malit, kur e dinin shumë mirë rrugën për të ardhur të kampi”, shprehet një banore e Manzës.

“Kudo që ata shkonin, vendosnin nga një shenjë në rrugë dhe lëviznin 6-7 veta bashkë”, thotë një tjetër banor.

Afrimi i parë i muxhedinëve me banorët e Manzës, ishte marrja e këtyre të fundit në punë në kampin e MEK. Punësimet bëhen në të zezë dhe punëtorët paguhen me pagesë ditore me para në dorë.

“Kishin një tendencë që t’u afronin me banorët e zonës. Ata u afronin duke sjellë ndihma, duke punësuar banorët aty brenda, gjithmonë në të zezë, madje ka pasur edhe fëmijë që janë të punësuar aty me punë të rëndomta”, shprehet banorja.

“Çdo lloj pune. Aty punon fëmija im, punojnë të gjithë”, shprehet një tjetër banore.

Një i ri tregon që në moshën 16-vjeçare ka punuar në kampin e muxhahedinëve.

“Po, kam punuar më parë aty, kam qenë në moshën 16-vjeçare, punoja duke hapur kanale për kabujt elektrikë, ndërtim. Ata paguanin 10 mijë lekë të vjetra dita. Koha kur unë kam punuar ka qenë koha kur ata kanë pasur më shumë nevojë punëtore. Tani aty kanë ngelur shumë pak që punojnë. Atëherë kishte edhe më të vegjël se 16-vjeç që punonin aty”, shprehet i riu që ka punuar në kampin e MEK Në Manzë.

Nga banorët e Manzës mësuam që muxhahedinët i ftonin në darka dhe dreka në kamp, madje i dërgonin edhe mesazhe në mbështetje të kauzave të tyre. Një mesazh banorëve të Manzës muxhahedinët ia kanë dërguar edhe ditën që u kryen kontrollet nga policia më 20 qershor. Muxhahedinët i kërkojnë ndihmë banorëve të Manzës duke akuzuar policinë shqiptare.

“Më kanë shkruar mesazh, për t’i përkrahur. Më dërguan mesazhin në darkë, unë nuk i ktheva përgjigje”, shprehet banorja.

Strategjia që muxhahedinët kanë ndjekur më parë më banorët e Manzës ka qenë afrimi me këto të fundit.

“Pastaj pak nga pak, ata filluan që të dilnin nëpër lagje, shkonin nëpër shtëpitë e banorëve”, thotë një banore.

“Muxhahedinët me banorët e Manzës, që kur kanë ardhur në fillim kanë dashur gjithmonë që të jenë në mesin e tyre. Organizonin dreka darka, i çonin ushqime për bamirësi, rroba. Dmth gjithmonë janë përpjekur të bëhen “miq” me ne në thonjëza.”, shprehet i riu.

“I kam future në shtëpi, më kanë ftuar edhe ata për dreka, darka, për çaj.”, shprehet banorja.

Duke i dhuruar edhe dhurata dhe duke vizituar edhe shtëpitë e tyre. Një banore na tregoi edhe një orë që ia kishin dhuruar muxhahedinët.

“Kanë ardhur në shtëpinë time, më kanë sjellë një orë dore, një shall”, thotë banorja.

Po ashtu, ka edhe nga ata banorë që shprehen se muxhahedinët brenda kampit të MEK kanë aktivitet diversiv midis tyre duke lënë të kuptosh që aty mund të ketë edhe agjentë të infiltruar nga Irani.

“Aty kanë filluar të futen edhe persona me precedent penal, por kam përshtypjen se ata kanë filluar të merren me diçka, plus edhe fakti banorët që punojnë aty nuk i lejojnë të futen në disa magazina, që ata i kontrollojnë në mënyrë rigoroze dhe nuk i lejojnë të shkojnë nga pjesa e fundit e kampit”, shprehet banorja.

Sipas banorëve para disa vitesh, një persona mes muxhahedinëve humbi jetën dhe kjo ngjarje u mbajt e fshehtë dhe dyshohet se prapavija e kësaj ngjarje ishte ndryshe.

“Kemi dëgjuar një rast, madje para disa vitesh, edhe diçka doja të shtoja se ata thonë që aty nuk ka moshë të re, ka moshë të re aty në kamp. Një djalë i ri, siç tregonin muxhahedinët, u mbyt duke notuar në liqen, por unë dyshoj faktin që kushdo nuk iu bindej urdhrave të tyre brenda në kamp ata i eliminonin. Që aty ka filluar frika reale sepse filluam të dëgjojmë edhe histori të tjera nga banorët që jetojnë aty na thonin që kush nuk i bindet urdhrit, eliminohet”, shprehet banorja.

“Kanë bërë vrasje më përpara. Jashtë kampit. Ata janë të ndaluar rreptësisht të dalin jashtë territorit. Banorët e vet në kamp kanë vrarë.” Thotë një tjetër banor i Manzës.

Ngjarjet me humbje jete në kampin e MEK janë shënuar edhe me shqiptarë, kur në 9 korrik të vitit 2022, sipas njoftimit zyrtar të policisë në atë kohë u tha se një punonjës i pastrimit të plehrave ndërroi jetë ndërsa ishte duke hequr plehrat brenda kampit të muxhahedinëve në Manëz.  Sipas policisë, Shaban Ceni 64 vjeç përfundoi brenda makinerisë së mbetjeve duke humbur jetën. Edhe pse ngjarja ndodhi më 9 korrik, u bë publike nga policia vetëm më datë 12 korrik, pra tre ditë më vonë. Pastrimi brenda Kampit Ashraf në Manëz ofrohet nga një subjekt privat dhe jo nga ndërmarrja e pastrimit në varësi të pushtetit vendor. Ndërsa Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore në Durrës në atë kohë deklaroi se nuk kishin marrë njoftim për aksidentin. Prokuroria e Durrësit mbylli hetimet për ngjarjen duke e cilësuar si vdekje aksidentale në punë. 64-vjeçari Shaban Ceni ishte futur shumë herë në kamp pasi merrej me pastrimin dhe transportimin e plehrave jashtë. Ai e njihte shumë mirë kampin dhe sipas banorëve ishte natyrë kurioze

Muxhahedinët në kampin e MEK kanë krijuar një sistem sigurie të nivelit të lartë dhe çfarë ndodh brenda territorit të tyre, të mbetet po aty dhe mos dalë jashtë asnjë informacion.

“Ata janë gjithmonë janë munduar të mbajnë të fshehtë çdo gjë që ka pasur lidhje me ta. Edhe kur ne lëviznim gjithmonë ishte një nga ata mbrapa. Nuk të lejojnë të hysh në çdo vend”, shprehet i riu që ka punuar në kampin e MEK.

“Në fillimet e veta, që në momentin që muxhahedinët erdhën në Manzë nuk është se u pritën shumë mirë nga ne banorët e zonës, sepse më përpara kishim dëgjuar që kanë qenë cilësuar si organizatë terroriste.”, shprehet banorja.

Banorët e Manzës thonë që muxhedinët janë të përgatitur shumë mirë nga ana ushtarake. Sipas banorëve të Manzës, ata dëgjojnë çdo mëngjes në orën 5 e 30 kambana e alarmit, ora kur muxhahedinët nisin stërvitje ushtarake.

“Muxhahedinët e nisin ditën nga ora 05:00-05:30 me një alarm ushtarak. Dëgjohet shumë mirë dhe të gjithë e kemi idenë që ata janë të shumë mirë të stërvitur ushtarakisht”

Një gjë tjetër që po vihet re nga banorët është se sipërfaqja e kampit dita ditës po zgjerohet dhe se muxhahedinët po kërkojnë të blenë sa më shumë territor.

“Problemi i vetëm është se ata sa vijonin e zgjeronin terrenin. Kanë blerë prona gjatë gjithë kohës. E kanë nisur me shumë pak fare tokë edhe pastaj janë hapur. Edhe po ta shikoni edhe sot janë hapur në gati 40 hektarë. Edhe vazhdojnë akoma për të blerë tokë, jo vetëm te pjesa e tyre, por duke dalë edhe matanë rrugës, edhe nga liqeni, si duket po tentojnë shumë edhe pjesën e liqenit.”, shprehet banorja.

Po ashtu, konstatuam që muxhahedinët po marrin edhe banesa me qira jashtë kampit dhe pagesat e qirasë janë shuma të konsiderueshme dhe paguhen në të zezë. Dy banesat në foto, janë të marra me qira dhe ndodhen jashtë kampit dhe është i çuditshëm fakti se pse muxhahedinët marrin banesa me qira kur kanë kampin e tyre.

Pas disa viteve qëndrim në Manzë të muxhahedinëve dhe kontrollit të policisë së shtetit në kampin e MEK më datë 20 qershor, banorët e Manzës shprehen se besimi i tyre te muxhahedinët nuk është me i mëparshmi.

“Unë ka qenë nga ata persona, edhe pse 16-vjeç, moshë e vogël, por kurrë nuk e kam dashur qëndrimin e tyre në Manëz. Po, ndihem i rrezikuar, nuk duam aty. Plus ata nuk duhet të dalin fare nga kampi i tyre, më shumë po qarkullojnë ata se sa ne.”, shprehet i riu që ka punuar në kamp.

“Janë të ndaluar rreptësisht në çdo cep të botës. A ndihem i rrezikuar? Nuk dihet, çfarë nuk pret. Ata nuk kanë bërë hajër në shtetin e vet dhe jo të bëjnë këtu”, thotë banori.

“Ndihem e rrezikuar sepse unë i kam pranuar, i kam future në shtëpi. Ata të më sulmojnë mua pas shpine, e rrezikuar quhem unë. Nuk e di se çfarë kanë bërë me ata kompjuterët”, thotë banorja.

“Kemi shkuar te kampi, por tani jemi të frikësuar dhe nuk shkojmë më. Pas kësaj që ndodhi nuk kemi mundësi të shkojmë pasi jemi të frikësuar. Nuk paskam ardhur të na respektonin si njerëz, ne iu hapëm dyert atyre.”

“Në raste festash ata i thërrisnin banorët dhe kam qenë vetë prezente, ndërkohë që unë kisha marrë informacion, kisha lexuar, se ata nuk është se martoheshin ose që krijonin familje, ndërkohë që ata më thonin që shiko dhe nxirrnin disa foto dhe thonin ky është djali im apo vajza ime dhe thonin që kur të çlirohet Irani do vini të na takoni atje, do iu ftojmë se ju jeni familja jonë e gjëra të tilla.

Aty pastaj fillova të kisha dyshimet e mia, i thashë edhe familjes që mundoheni të mos jeni shumë në kontakt me këta deri sa të shikojmë realisht se çfarë qëllimi kishin. A ndihem e rrezikuar? Patjetër, sepse nuk kishin arsye që të kundërshtonin policinë, meqë ne na kanë quajtur miq, atëherë pse nuk hap derën që të kontrollohesh. Shteti shqiptar i bëri një kontroll në mënyrë ligjore. Fakti tjetër është kur pamë ato pamjet me dron, pse u dogjën ato letra? Nëse gjykata e vërteton që realisht që këto janë të përfshirë në këtë lloj aspekti kriminal atëherë në do të bëjmë peticion që ata të largohen nga Manza”, shprehet banorja e Manzës.

Morëm intervista të banorëve të Manzës dhe mendime të tyre për muhaxhedinët. Po ashtu morëm intervista dhe të atyre banorëve të Manzës që kanë punuar brenda në kampin e MEK. Në fund të këtij dokumentari pyetjet që shtrojmë janë: A ka vendi ynë kapacitete e duhura të koordinojë një organizatë ish-terroriste? Pranimi i MEK vite më parë në Shqipëri, a po e vendos vendin tonë sot përballë një rreziku të madh?

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy