AKB: Importet nga Serbia rriten mbi 118%, “pushtim i heshtur” i tregut kosovar

by engel

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar me tone të ashpra ndaj rritjes së ndjeshme të importeve nga Serbia, duke e cilësuar këtë si një “pushtim të heshtur” ekonomik dhe kërcënim serioz për prodhimin vendor dhe pavarësinë ekonomike të Kosovës.

Sipas të dhënave të publikuara nga AKB, importet nga Serbia janë rritur për më shumë se 118% në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 – nga 50.64 milionë euro në 110.53 milionë euro.

banner

“Kjo rritje nuk është thjesht një statistikë ekonomike, por një sinjal i qartë i rikthimit agresiv të produkteve serbe në tregun tonë dhe i rrënimit të prodhuesve vendorë,” thuhet në reagimin e AKB-së.

Aleanca ia atribuon këtë gjendje vendimit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e masave kufizuese ndaj mallrave serbe në tetor të vitit të kaluar, një vendim që – sipas tyre – u mor “pa asnjë kusht dhe nën trysninë e faktorit serb dhe ndërkombëtar”.

“Produktet ‘Made in Kosovo’ po zëvendësohen nga ato serbe në rafte, në tregje e në tryezat tona,” thuhet më tej, duke u theksuar se kjo nuk është vetëm çështje ekonomike, por çështje dinjiteti dhe vetëvendosjeje.

AKB e konsideron të papranueshme që një shtet që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të dominojë tregun vendor pa asnjë formë reciprociteti apo kriter mbrojtës të vendosur nga institucionet.

“Ironikisht, ata që dikur protestonin kundër ‘maunave serbe’, sot heshtin, madje e lehtësojnë hyrjen masive të këtyre mallrave,” thuhet në deklaratën e Aleancës.

Duke bërë thirrje për ndërgjegjësim qytetar dhe institucional, AKB u ka kërkuar konsumatorëve që të mbështesin prodhimin vendor dhe të jenë të kujdesshëm në zgjedhjet që bëjnë gjatë blerjeve:

“Konsumoni produkte vendore! Mbështesni ekonominë tonë, prodhuesin tonë dhe pavarësinë tonë!”

Në përfundim të reagimit, AKB paralajmëron se Kosova nuk mund të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme mbi importin e identitetit ekonomik të tjetrit, duke theksuar se është momenti për të zgjedhur mes një “tregu të lirë dhe një shteti të lirë”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy