Shamia tradicionale shqiptare dhe shamia e huaj !

by Nexhat

Shkruan: Shqiptar SHALJANI

Në viset shqiptare, për shekuj me radhë, gruaja shqiptare ka bartur shaminë – jo si nënshtrim, por si shenjë dinjiteti, nderi dhe përulësie para Zotit dhe para vlerave familjare. Shamia e gjysheve tona ishte pjesë e kostumit kombëtar, element i identitetit tonë tradicional, dhe bartëse e një simbolike krejt ndryshe nga ajo që shohim sot në sheshe, rrugë, shkolla e studio televizive.

banner

Sot, ajo shamia e bardhë tradicionale thuajse nuk përdoret më. Është zëvendësuar me shamia turko-arabo-somaleze të imponuara dhe të sponzoruara , të huaj për shqiptarët !

Shamia që bartet sot nuk ka asnjë lidhje me kostumin popullor të gjysheve tona, por është një shenjë e qartë e ndikimit të një ideologjie të huaj që po përpiqet të zhbëjë jo vetëm shenjat e jashtme të identitetit shqiptar, por edhe mendësinë dhe vetëdijen kombëtare.

Bartja e shamisë sot shpesh shoqërohet me sjellje dhe rregulla që s’kanë asgjë të përbashkët me kulturën shqiptare: ndalimi i shtrëngimit të duarve me burra, shmangia e kontakteve me farefisninë, në disa raste madje dhe me të afërm si kushërinjtë e parë. Këto sjellje nuk burojnë nga kultura shqiptare, por janë normë e shoqërive patriarkale të Lindjes së Mesme, ku gruaja reduktohet në funksion të burrit e të klanit.

Disa vajza e gra shqiptare deklarojnë me krenari se janë “100% shqiptare” edhe kur janë të zhytura kokë e këmbë në kodet kulturore të një bote tjetër. Ato kanë të drejtë të deklarojnë çfarë të duan, por e vërteta është kokëfortë: me veprim, veshje dhe qëndrim po përfaqësojnë diçka tjetër nga ajo që trashëguam nga nëna dhe gjyshet tona.

Shqiptaria nuk matet vetëm me gjuhë. Të flasësh shqip nuk mjafton nëse nuk e ruan frymën, ndjeshmërinë, vlerat, doket, zakonet dhe lidhjen shpirtërore me këtë tokë, me këtë histori dhe me këtë popull. Shqiptaria është ndjenjë, është përkatësi, është trashëgimi kulturore dhe shprehje e një fryme të lirë, që i rezistoi për shekuj sundimeve të huaja, pa u dorëzuar.

Sot, për fat të keq, ndodhemi në një kthesë të rrezikshme: nën emrin e lirisë, promovohet robëria e mendjes. Nën emrin e fesë, përhapet dogma. Dhe në emër të “zgjedhjes personale”, përqafohen kornizat ideologjike që nuk kanë asnjë lidhje me shpirtin shqiptar. E gjithë kjo nuk është më çështje personale – është çështje identitare.

Prandaj sot, më shumë se kurrë, na duhet kthimi te rrënjët, te nderi i gruas shqiptare, te kultura e kombit tonë që ka ditur t’i bashkojë vlerat shpirtërore me dinjitetin njerëzor, pa u skllavëruar nga lindja as nga perëndimi. Sepse shamia nuk është thjesht një copë pëlhure mbi kokë – ajo është simbol, është kod, është shenjë e përkatësisë. Pyetja që duhet ta bëjmë sot është: Përkatësisë ndaj kujt?

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy