Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pasur një bisedë telefonike me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se, Kurti ka shprehur gatishmërinë e tij për zvogëlimin e pranisë së policisë në ndërtesat komunale në veri gradualisht e në proporcion me vendosjen e rendit dhe ligjit, gjë që njëkohësisht do të mundësonte fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të parakohshme demokratike në këto komuna.
Zyra e kryeministrit njofton se, Kurti e falënderoi presidenten von der Leyen për mbështetjen ndaj Kosovës për zhvillim ekonomik, demokraci moderne dhe drejtësi ligjore, si dhe e njoftoi atë për arritjet dhe sukseset e vendit tonë në shumë fusha.
“Ai tha se shpreson që të trajtohet sa më parë aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, sepse me padurim presim që t’i marrim pyetjet e shumta nga Komisioni Evropian dhe t’ju përgjigjemi atyre sinqerisht me reforma të thella të brendshme, si shteti më pro-evropian i Ballkanit Perëndimor që jemi.Në këtë bashkëbisedim u diskutua edhe për domosdoshmërinë për deeskalim të situatës në katër komunat veriore të Kosovës dhe për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë përmes zbatimit të Marrëveshjes Bazike”, vijon njoftimi.
Më tej, Kryeministri Kurti e informoi Presidenten e Komisionit Evropian për konfiskimin e armatimit të shumtë para katër ditëve në Zveçan në një veturë me targa të Beogradit, në vendin ku para katër javëve u ushtrua dhunë brutale mbi ushtarët e KFOR-it, policët e Kosovës dhe gazetarët.