
Shkruan: Prof. Ahmet Asani
Të dashur miq, e vërteta është e hidhur, por pa e kërkuar dhe pa e zbardhur nuk mund të ecet përpara. E vërtetë është se besimi është një, kurse religjionet janë me dhjetëra. E vërtetë tjetër është se, përveç faktit që religjionet kryesore qe kemi nuk e pranojnë njëri-tjetrin per besime valide, ato nuk e pranojnê njeri tjetrin as brenda degëve e nëndegëve të tyre!?
Krishterimi, për shembull, i ka këto degë e nëndegë: Katolicizmin, Ortodoksinë Lindore, Protestantizmin, Luteranizmin, Kalvinizmin, Anglikanizmin, Baptistët, Metodistët, Pentekostalët, Evangelikalët, Adventistët, Jehovaitë, Mormonët.
Islami, në anën tjetër, po ashtu ndahet në këto degë e nëndegë:
– Sunizmi: Hanefi, Shafi’i, Maliki, Hanbeli, Vahabi, Salafi
– Shiizmi: Dymbëdhjetëshit, Ismailitët, Zaiditët
– Sufizmi: Mevlevi, Kaderi, Rufa’i, Bektashi
– Rryma të tjera si: Ahmadiyya, Druzët, Alavitët.
Duke u nisur nga këto fakte dhe nga fakti që po jetojmë në një shekull të dijes dhe informimit të pafund, mendoj se si popull me tradita e virtyte hyjnore që kemi, ka ardhur koha të ulemi dhe të vëmë gishtin në kokë e të vendosim se nga duam të shkojmë: të zgjedhim rrugën e besimit nëpërmjet sistemeve te religjioneve që nuk e pranojnë dhe e luftojnë njëri-tjetrën, apo si popull i lashtë të zgjedhim rrugën e Dijes dhe Besës, që në fakt është rruga e Zotit!
E vërteta është se shqiptari nuk ka nevojë të jetë fetar për të qenë besimtar. Shqiptari nuk ka nevojë për dogma e rituale të pakuptimta, sepse e ka BESËN, që ka vlejtur dhe vlen më shumë se çdo betim para altarit.
Shqiptari nuk ka nevojë për tempuj të huaj, sepse e ka pasur dhe e ka shtëpinë e tij të hapur për mikun, e cila është po aq e shenjtë sa çdo faltore tjetër: “Shtëpia është e Zotit dhe e mikut.” Në kohë lufte, ishte shqiptari që strehoi në shtëpi njerëz të ndjekur për shkak të fesë, siç ndodhi me hebrenjtë në kohën e nazizmit – jo nga urdhri i ndonjë feje, por nga urdhri i ndërgjegjes!
Gjuha shqipe është mjeti ynë i shenjtë për të shprehur të vërtetën. Ajo nuk ka pasur kurrë nevojë dje, e as ka sot, të zëvendësohet me arabisht, greqisht apo latinisht për t’u ndjerë më pranë Zotit.
Fakti që ndër shekuj, si popull, nuk kemi lejuar martesat në fis e gjak, që kemi ruajtur nderin dhe fjalën e dhënë, dëshmon se jemi popull i dijes para se të vinte feja. Prandaj, në këtë kohë te dijes e shkencës, nuk mund të vazhdojmë të jetojmë nën hijen e dogmave që i shërbyen më shumë nënshtrimit sesa vetëdijes.