Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se data 30 korrik 2025 do të jetë afati i fundit në të cilin do të vazhdojë furnizimi me energji elektrike për konsumatorët që ende nuk kanë gjetur furnizues në tregun e hapur.
Në komunikatën zyrtare, KEK sqaron se ky furnizim është bërë në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF), në përputhje me Vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ligjin për Energjinë Elektrike, si dhe Rregullën për FMF-në. Furnizimi ka filluar më 1 qershor 2025 dhe ka një kohëzgjatje maksimale prej 60 ditësh.
“Ky furnizim është i përkohshëm dhe ka për qëllim të ofrojë kohë të mjaftueshme për konsumatorët që të gjejnë një furnizues afatgjatë të licencuar nga ZRRE”, thuhet në njoftim.
KEK ka bërë thirrje për kujdes të shtuar, duke theksuar se pas datës 30.07.2025, konsumatorët që nuk kanë lidhur marrëveshje me një furnizues të licencuar, do të mbesin pa energji elektrike, pasi skadon baza ligjore për furnizim nga FMF.
Për këtë arsye, KEK inkurajon fuqishëm të gjithë konsumatorët që të kontaktojnë sa më parë një furnizues të licencuar nga ZRRE dhe të nënshkruajnë marrëveshje komerciale, për të siguruar vazhdimësi të pandërprerë të furnizimit me energji elektrike.
Lista e furnizuesve të licencuar mund të gjendet në faqen zyrtare të ZRRE-së: www.ero-ks.org