Shkruan: Valon MURTEZAJ
Në historinë e një kombi, vijnë momente, kur njeriu me ndërgjegjje të zgjuar, profesionisti me integritet, patrioti i vërtetë duhet të tregoj veten.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës e ka momentin e saj historik tani.
Pas dështimit të bërjës së Kuvendit, institucionit më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës, ky moment historik kërkon më shumë se një vendim gjyqësor të radhës.
Mbrojtja e Kushtetutës dhe të drejtave të qytetarëve, për të jetuar në një shtet sovran, të lirë, demokratik, me institucione funksionale që janë në shërbim të qytetarëve të saj pa asnjë dallim, kërkon sot që Gjykata Kushtetuese të dal në krye të detyrës së saj më të shenjtë.
Kjo nuk është thjesht një çështje ligjore e radhës. Detyra e Gjykatës Kushtetuese sot është të mbrojë lirinë dhe demokracinë e Republikës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e ka momentin dhe detyrën të flas në emër të qytetarëve që nuk kanë zë, të qytetarëve të cilët kanë kryer detyrën e tyre qytetare, duke votuar me vullnetin e lirë përfaqësuesit e tyre në institucionin e Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese duhet të mbrojë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët tanimë janë të pambrojtur nga përfaqësuesit e tyre të zgjedhur me vullnetin e tyre të lirë dhe solemn në ditën e votimit.
Në këtë moment, populli i Kosovës, pret interpretim dhe gjykim me guxim, integritet dhe pavarësi.
Sot, Gjykata Kushtetuese duhet të mbrojë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj, nga ngritja dhe fuqizimi i forcave politike të korruptuara dhe shkatërruese.
Sot, Gjykata Kushtetuese duhet të mbrojë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj, nga politikanë të korruptuar dhe autokratë, që kërkojnë të përkulin ligjin për përfitime personale dhe karteliane.
Sot, Gjykata Kushtetuese duhet të mbrojë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj, nga profiterë dhe oligarkë, që duan të rrënojnë institucionet e krijuara me gjak, punë dhe rezistencë popullore nga breza dhe breza.
Sot, Gjykata Kushtetuese duhet të mbrojë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj, nga politikanë që kanë synim primar për të marrë kontrollin dhe të zëvendësojnë llogaridhënien me pandëshkueshmëri.
Nëse sot, këto forca, nuk ndalen, nga Gjykata Kushtetuese, do ta dëmtojnë jo vetëm qeverisjen, por edhe besimin e qytetarëve, shpresën dhe premtimin themelor për drejtësi të barabartë.
Populli pret nga Gjykata Kushtetuese vendim me arsyetim të ligjit të drejtë.
Populli pret nga Gjykata Kushtetuese udhëheqje kushtetuese dhe përtej udhëheqje morale.
Në këtë moment historik, kur mbrohet demokracia, liria, dhe kushtetutshmëria, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës do të përcaktojë mënyrën se si mbahet përgjegjës pushteti dhe politikanët destruktivë dhe si mbrohen të drejtat përballë shkeljes.
Gjykata Kushtetuese duhet të jap vendim që tregon një mesazh të qartë me ndikim shekullor, se asnjë politikan, nuk qëndron mbi ligjin; se mentaliteti korruptiv dhe korrupsioni nuk ka strehë në një demokraci kushtetuese; dhe se, në Republikën e Kosovës, gjyqësori mbetet kalaja e fundit dhe e pathyeshme e drejtësisë dhe mbrojtjes së qytetarëve.
Mbroni Kushtetutën. Mbroni popullin.
Mbroni atdheun tonë të dashur, Republikën e Kosovës, europiane