Ndërsa vendi po mbytet në krizë politike dhe institucionet kanë ngecur në bllokadë, qytetarët po luftojnë për të mbijetuar me të ardhurat që nuk u mjaftojnë as për gjërat më elementare. Çmimet po ngjiten përditë, duke zhytur mijëra familje në mjerim.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm në korrik të këtij viti, indeksi i çmimeve të konsumit është rritur me 4,3% krahasuar me korrikun e kaluar. Përballë kësaj rritjeje, krahasimi mujor tregon një tjetër alarm: nga qershori në korrik, çmimet janë rritur edhe me 0,2%.
Goditjet më të forta kanë ardhur nga çmimet e ushqimeve dhe energjisë:
Kafe, çaj dhe kakao: +16,9%
Energjia elektrike: +16,6%
Mishi: +12,7%
Vajrat dhe yndyrat: +9,9%
Qumështi, djathi dhe vezët: +6,5%
Buka dhe drithërat: +5,0%
“Nuk kemi më as luksin të blejmë ushqimet bazë. Rroga na shkon për gjysmë shporte ushqimore,” thonë qytetarët, të lodhur nga varfërimi i pandalshëm.
Ekonomisti Mustafë Kadrijaj e sheh qartë fajtorin: “Për fat të keq, nuk kemi as qeveri të mandatuar. Kjo është një gjendje e palakmueshme që u hap rrugë bizneseve të abuzojnë me çmimet.”
Edhe pse disa kategori kanë pësuar ulje – si biletat e fluturimeve (-10,3%) dhe karburantet (-6,2%) – për qytetarët e zakonshëm kjo është thjesht një statistikë e ftohtë që nuk e zbraz dot peshën e faturave të përditshme.
Në këtë realitet të rëndë, inflacioni nuk është thjesht një numër – është përditshmëria e një populli të lënë në mëshirë të tregut dhe të politikës së paralizuar.