Shkruan: Prof. Engelbert ZEFAJ
Kosova po varfërohet – Pushteti (në detyrë) me politika të gabuara, qytetarët po e paguajnë çmimin
Në një vend ku paga mesatare nuk mjafton as për mbijetesë, Agjencia e Statistikave të Kosovës konfirmon se çmimet e konsumit janë rritur me mesatarisht 4.3% në korrik 2025 krahasuar me një vit më parë. Por kjo është vetëm mesatarja – pas saj fshihen shifra alarmante që godasin direkt jetesën e qytetarëve.
Rritja e çmimeve nuk ka ndodhur në artikuj luksi, por në produkte bazë pa të cilat nuk jetohet:
– Mishi: +12,7% – një domosdoshmëri për shumicën e familjeve
– Perimet: +12,3% – ushqimi më i thjeshtë dhe i domosdoshmëm po bëhet i papërballueshëm
– Energjia elektrike: +16,6% – drita dhe amvisëria po bëhet barrë
– Shërbime ambulantore mjekësore: +7,1% – shëndeti po shndërrohet në privilegj vetëm për ata që kanë pasuri
Këto rritje janë pasojë e politikave të dështuara, sulmet ndaj bizneseve, tarifave të paarsyeshme dhe mungesës totale të kontrollit mbi tregun. Qeveria nuk ka ndërhyrë për të mbrojtur konsumatorin – përkundrazi, ka lehtësuar rrugën për shtrenjtimin.
Jo të gjithë po vuajnë. Ata që janë në pushtet, dhe servilët e tyre që përfitojnë pa meritë nga grante, subvencione dhe privilegje, nuk e ndjejnë këtë krizë. Ata nuk blejnë me çmime të tregut, nuk paguajnë faturat si qytetarët e zakonshëm. Ata jetojnë në një realitet paralel, ata janë të mbrojtur nga pasiguria që po rrezikon vendin.
Edhe pse varfëria po thellohet, disa ende e duartrokasin këtë pushtet. Është e pakuptueshme si një qeveri që po shtrenjton jetën, po e zbeh shpresën dhe po e fundos mirëqenien, vazhdon të glorifikohet nga një pjesë e shoqërisë.
Rritja e çmimeve nuk është thjesht pasojë e tregut. Është pasojë e paaftësisë, neglizhencës dhe mungesës së vullnetit politik për të mbrojtur qytetarin. Mungesa e institucioneve, politikat fiskale të gabuara, mungesa e mbështetjes për prodhimin vendor dhe injorimi i krizës sociale po e çojnë Kosovën drejt një varfërie të institucionalizuar