Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në meshën solemne të mbajtur në shenjtëroren e Ipeshkvisë së Kosovës në Letnicë, komuna e Vitisë, me rastin e kremtimit të festës së Zojës së Bekuar.
Në fjalën e tij, Kurti e cilësoi Letnicën si një vend lutjeje dhe bashkimi për njerëzit pa dallim feje, kombi apo krahine, ku breza të tërë – kroatë, shqiptarë katolikë e myslimanë, shkupjanë, shkodranë, romë, ortodoksë serbë e maqedonas, agnostikë e ateistë – janë përkulur me përulësi për t’u lutur.
Ai theksoi se famullia e Letnicës përbën një pasuri të madhe historike për Kosovën dhe rajonin, duke kujtuar se bartja e trupores së “Zonjës së Bekuar” nga Shkupi në Letnicë është kthyer në simbol të bashkimit, shpresës dhe besimit të palëkundur.
“Sot nuk jemi thjesht pjesëmarrës në një festë, por pjesë e një familjeje të madhe shpirtërore, të bashkuar nga dashuria për Zojën Mari, Nënën e Jezusit,” tha Kurti, duke bërë thirrje për paqe, pajtim dhe hapje të zemrës ndaj njëri-tjetrit.
Në fund, ai uroi: “Zoti e bekoftë Letnicën, dhe ndërmjetësinë e Zojës së Madhe, Kosovën tonë dhe të gjithë ata që me besim të plotë vizitojnë këtë tokë të shenjtë. Amen.”