Ministria e Jashtme e Iranit ka njoftuar se të martën e ardhshme do të zhvillohen bisedime të reja mbi programin bërthamor me Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe dhe Bashkimin Europian.
Në një deklaratë zyrtare, ministria tha se pas një bisede telefonike midis kryediplomatit iranian dhe homologëve të tij europianë, u arrit marrëveshja që negociatat të vijojnë në nivel zëvendësministrash. Në komunikim mori pjesë edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaia Kallas.
Kryediplomati francez, Jean-Noel Barrot, paralajmëroi se “koha po mbaron” për të arritur një kompromis që do të shmangte rikthimin e sanksioneve ndaj Teheranit. Ai konfirmoi gjithashtu se raundi i ri i bisedimeve do të mbahet javën e ardhshme.
“Patëm një diskutim të rëndësishëm me kolegët e mi, Sekretarin e Jashtëm britanik David Lamy, Ministrin e Jashtëm gjerman Johann Vandeful dhe Kaia Kallas, mbi çështjen bërthamore dhe sanksionet që po shqyrtojmë të rivendosim ndaj Iranit”, shkroi Barrot në rrjete sociale.
Në të njëjtën linjë, Ministri i Jashtëm gjerman theksoi se Europa mbetet e angazhuar ndaj diplomacisë, por koha për marrëveshje po ngushtohet.
“Ne kemi qenë të qartë: mekanizmi i sanksioneve nuk do të skadojë në mungesë të një marrëveshjeje të verifikueshme dhe të qëndrueshme. Irani duhet të marrë angazhime konkrete për të shmangur pasoja të menjëhershme”, deklaroi Vandeful.