Përjashtim arbitrar dhe censurë skandaloze në RTK!
Të premten, në orët e fundit të ditës, ne morëm një njoftim tinëzar, të papritur dhe tërësisht joligjor: nga data 1 shtator, përjashtohemi nga moderimi i emisioneve – përkatësisht i magazinës së orës 17:00 dhe lajmeve të orës 23:00. Ky akt i turpshëm dhe qartazi i orkestruar është një sulm brutal ndaj gazetarisë së lirë dhe profesionalizmit në Transmetuesin Publik.
Kërkesa jonë për takim me menaxhmentin e RTK-së është shpërfillur me arrogancë, duke dëshmuar se këta njerëz nuk kanë guxim të ballafaqohen me gazetarët e tyre, por vetëm guxim për t’i nënshtruar dhe censuruar ata.
E vërteta është e pamohueshme: sa herë që në magazina janë realizuar intervista me të ftuar nga pushteti, dhe ata janë përballur me pyetje profesionale, pason hakmarrja politike – kërcënime, presion dhe tani përjashtime arbitrare. Ky është model i pastër i kontrollit politik mbi RTK, ku menaxhmenti shërben si vegël e qeverisë, në vend që të mbrojë pavarësinë editoriale.
Vendimet e njëanshme për të shuar emisione informative – siç ishte më parë “Lajmet e fundit”, e tash “Magazina e orës 17:00” – janë jo vetëm skandaloze por edhe joligjore. Skema programore mund të ndryshohet vetëm nga Bordi, por RTK nuk ka Bord funksional. Pra, kemi të bëjmë me uzurpim flagrant të kompetencave, ku një grusht individësh e trajtojnë Transmetuesin Publik si pronë private.
Ne jemi përballur me presione dhe akuza të pabaza nga eprorët, të cilët asnjëherë nuk kanë pasur guximin t’i dokumentojnë ato me shkrim. Kjo metodë primitive e frikësimit ka pasur vetëm një qëllim: ta bëjë të pamundur punën profesionale dhe të lirë.
Vendimi i fundit është dëshmi e qartë: pushteti dhe shërbëtorët e tij në RTK duan të heshtin çdo zë që nuk i shërben propagandës. Ky është atentat ndaj gazetarisë së lirë, ndaj rolit të Transmetuesit Publik dhe ndaj vetë demokracisë në Kosovë.
Ne nuk do të heshtim! Do të ndjekim çdo rrugë ligjore për mbrojtjen e të drejtave tona dhe të lirisë profesionale. Do të vazhdojmë të punojmë me integritet, objektivitet dhe pa iu nënshtruar frikës e urdhrave politikë.
Ky alarm nuk është vetëm i yni – është alarm për gjithë shoqërinë: RTK po shndërrohet nga transmetues publik në megafon të qeverisë. Heshtja ndaj kësaj gjendjeje është dorëzim ndaj censurës dhe diktatit politik.