Albin Kurti u propozua për kryeministër të vendit në një mbledhje të Lëvizjes Vetësvendosje.
Në këtë mbledhje ku u sulmua Gjykata Kushtetuese dhe jo vetëm, nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca tha se do ta bëjnë qeverinë e re, ndërsa kryetarit të partisë ia konfirmoi besnikërinë duke i thënë “bashkërrugëtofshim gjithmonë”.
“Deri tash, të gjithë ata që i kishim (kryeministra), dy prej tyre vetëm dy herë ishin kryeministra. Kësaj radhe do ta bëjmë Albin Kurtin për herë të tretë kryeministër të Republikës së Kosovës, sepse do ta kemi Qeverinë Kurti 3. Bashkërrugëtofshim gjithmonë!”, tha Konjufca.
Pasi e mori fjalën, Kurti i falënderoi partiakët, ndërsa tha se u është “përjetë mirënjohës” që “e doni Lëvizjen dhe që nuk harroni se i duheni asaj”.
Kurti, i cili u votua unanimisht si propozimi i LVV-së për kryeministër, i falënderoi bashkëpartiakët për disiplinë e përkushtim.
“Unë ju falënderoj për këtë disiplinë të zellshme, për këtë përkushtin të parreshtur”.
Ky konfirmim besnikërie vjen pak ditë pasi Liburn Aliu, një prej të parëve të LVV-së, dha dorëheqje nga pozita e ministrit të Mjedisit, i pakënaqur me sjelljen e partisë së tij në Kuvend, që e zgjodhi kryeparlamentar Dimal Bashën.
Radio Evropa e Lirë shkroi para një jave se dy dekada pas themelimit, Lëvizja Vetëvendosje duket se po përjeton edhe një dridhje politike, me anëtarë “të rebeluar”.

