Në një atmosferë festimi dhe përkujtimi, Policia e Kosovës shënoi 26-vjetorin e themelimit të saj. Megjithatë, pas më shumë se dy dekadash shërbimi publik, kjo trupë mbetet pa një nga të drejtat më themelore për çdo punonjës: sigurimin shëndetësor.
Çdo qeveri që ka ardhur në pushtet ka premtuar sigurim shëndetësor për pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Por edhe këtë vit, premtimi mbeti vetëm në deklarata publike. Ish-pjesëtarë të këtij institucioni kritikojnë ashpër mungesën e vullnetit politik për të përmbushur këtë nevojë jetike.
“S’ka ndodhur as sigurimi shëndetësor, as pensionimi i parakohshëm. Edhe pse u premtua nga të gjithë, përfshirë edhe kryeministrin Kurti, as kjo qeveri nuk e ka realizuar,” tha Shaban Tasholi, ish-kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës.
Për shumë ish-policë, mungesa e sigurimit shëndetësor përbën një formë të thellë diskriminimi. Ata theksojnë se përballja me rreziqe të përditshme në detyrë nuk shoqërohet me mbështetje institucionale minimale.
“Është e dhimbshme që një polic, që vesh uniformën çdo ditë, nuk ka as një vakt të siguruar, e jo më sigurim shëndetësor. Pagat janë të ulëta,” deklaroi Fehmije Gashi-Bytyqi, ish-police.
Të pranishmit në ceremoninë e përvjetorit apeluan që institucionet e ardhshme të vendosin prioritetin mbi mirëqenien e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Sigurimi shëndetësor, një pagë dinjitoze dhe mbështetje për ushqim bazik janë kërkesa minimale për një trupë që mban barrën e sigurisë publike.
Policia e Kosovës mbetet e vetmja forcë policore në rajon pa sigurim shëndetësor, një fakt që ngre pikëpyetje serioze mbi trajtimin institucional të kësaj strukture.