Nënkryetarja dhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i ka reaguar Ministrit në detyrë të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratit, i cili tha se është përshpejtuar rritja ekonomike dhe se sipas Agjencisë së Statistikave Bruto Produkti Vendor është rritur me 4.58% në tremujorin e dytë të këtij viti.
Edhe Bajrami i është referuar të dhënave të ASK-së, ku ka thënë se për muajin gusht 2025 inflacioni është 4.5% më i lartë se në muajin gusht 2024.
“Pyeteni Hekuran Muratin se çfarë lajmi është ky për Kosovën”, ka shkruar Bajrami.
Murati ka thënë se Bruto Produkti Vendor është rritur me 4.58% në tremujorin e dytë të këtij viti.
“ASK dje ka publikuar rritjen ekonomike për tremujorin e dytë të këtij viti (prill-qershor), e cila shënon 4.58%, e që krahasuar me TM2 2024 e cila ishte 4.32%, len të kuptohet se kemi përshpejtim të rritjes”, ka shkruar Murati.
Sipas tij, këto shifra “demantojnë pretendimet opozitare për kahjen ekonomike të vendit”.

