Milan Radoiçiq, personi i identifikuar dhe që më pas e ka pranuar vetë se ishte organizator i sulmit të armatosur në Banjskë të Kosovës më 24 shtator 2023, nuk është një figurë e zakonshme e krimit, por një aktor me ndikim të thellë politik, ushtarak dhe ndërkombëtar.
Kështu deklaron Dushan Janjiq, themelues i Forumit për Marrëdhënie Etnike, në një intervistë për televizionin Nova në Serbi.
“Radoiçiq është më i fortë se regjimi. Biografia dhe imazhi që është krijuar për të në opinionin publik nuk paraqesin pamjen e plotë. Ai është shumë më me ndikim dhe shumë më mirë i stërvitur ushtarakisht sesa tregoi në Banjskë”, tha Janjiq, duke theksuar se vendosja e tij vetëm në kuadrin e korrupsionit dhe krimit të organizuar është një qasje naive.
Ai shtoi se Radoiçiq ka pasur lidhje edhe me struktura ndërkombëtare dhe është tashmë nën sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.
Sipas Janjiqit, pavarësisht se në Serbi është hapur një procedurë penale kundër Radoiçiqit, ai nuk është i disponueshëm për drejtësinë në Kosovë.
“Për ta gjykuar realisht një njeri si Radoiçiq, duhen ndryshime politike. Ky është një proces i madh. Do të gjykohet, por kjo kërkon kohë. Dhe në fund, do të paguhet fatura”, deklaroi ai, duke shtuar se administrata amerikane është e vendosur ta çojë këtë proces deri në fund, ashtu si me hetimin për vrasjen e Oliver Ivanoviçit.
Duke folur për ngjarjen në Banjskë, Janjiq e cilësoi atë si një akt të qartë terrorist, të organizuar në mënyrë të plotë, me përfshirje të strukturave shtetërore dhe ndihmë të jashtme.
“Ky sulm ishte i organizuar me përfshirje të fortë nga jashtë – edhe nga Rusia. Është e qartë që këta djem janë trajnuar në kampet e ushtrisë. Ata kanë statusin e shërbyesve vullnetarë të shërbimit ushtarak, gjë që e komplikon çështjen, sepse përfshin edhe shtetin e Serbisë,” tha ai për televizionin Nova.
Janjiq tha se sulmi ishte përgatitur për vite me radhë dhe kishte lindur pjesërisht nga struktura të mbrojtjes civile.
Ngjarjen e Banjskës, ai e cilësoi si një gabim strategjik të madh nga ana e Beogradit.
“Qëllimet ishin të mjegullta, por efekti ishte i qartë: një dështim i rëndë. Ky ishte një vlerësim i gabuar, i bazuar në një iluzion të gabuar – që problemi i Kosovës mund të zgjidhet duke vendosur një kufi të ri në lumin Ibër. Ishte një përpjekje për të forcuar pozicionin negociues në dialog, për të arritur Asociacionin, nëse jo ndarjen. Por kjo përpjekje dështoi”, tha Janjiq.
Ai shtoi se pas sulmit, pozita e serbëve në Kosovë është përkeqësuar më shumë se kurrë.
“Pas Banjskës, ndodhi de facto njohja e pavarësisë së Kosovës përmes planit franko-gjerman. Dhe rezultati është që pozita e komunitetit serb në Kosovë kurrë nuk ka qenë më e keqe,” deklaroi ai.
Sipas tij, ngjarja në Banjskë solli pasoja të mëdha ndërkombëtare dhe ndryshoi qasjen e Perëndimit ndaj Serbisë.
“Tani, në prag të një dialogu strategjik mes SHBA-së dhe Serbisë, presioni ndërkombëtar për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe ndëshkimin e fajtorëve do të rritet,” përfundoi Janjiq.

