Komuniteti i Energjisë në Vjenë dhe Zyra e Rregullatorëve të Energjisë në Ljubljanë kanë nisur hetime në lidhje me importin e energjisë elektrike në Kosovë. Këtë e ka bërë të ditur një ditë më parë zyrtarja e LDK-së, Janina Ymeri.
Kosova vitet e fundit është përballur me rritje të çmimit të energjisë, e këtë e ka quajtur të papranueshme profesori i ekonomisë, Shkumbin Misini.
“Ka diçka aty, është e papranueshme. Në vende të ndryshme të botës po bie çmimi i energjisë elektrike, për shembull në Zvicër, që është zvogëluar nga janari për 20 për qind. Ndërsa Kosova shkon në rritje të çmimit të energjisë elektrike, kur e dimë që Kosova ka rezerva të burimit dhe të shfrytëzimit të burimeve natyrore, të prodhimit të energjisë elektrike. Është shumë e papranueshme se si me këtë shpejtësi qeveria mori vendime të shpejta pa e analizuar në mënyrë të mirëfilltë analizën e kostos, e cila mund të ndikojë. Shembull konkret: në një rast konkret, një kompanie prodhuese i është rritur katër herë çmimi i energjisë elektrike. Shtrohet pyetja: a i kemi kushtet që bizneset në Kosovë të përballojnë rritje të kostos operative? Jo, sepse ne ende jemi vendi më i varfër në rajon, në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe ne kemi interes që bizneset të kenë favore në Kosovë, sidomos ato prodhuese, dhe jo disfavore që mund të ndikojnë në rritjen e kostos së prodhimit të produkteve të tyre dhe që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të produkteve, të cilat nuk mund të jenë konkurruese në raport me konkurrencën në treg,” deklaroi Misini.
Ai theksoi se mungesa e transparencës dhe llogaridhënies ka krijuar hapësirë për hetime të mundshme penale.
“Mungesa e transparencës dhe llogaridhënies ka shkuar deri në atë pikë që prokuroria ka hapësirë dhe mundësi të ketë gjetje të jashtëzakonshme aty. Është e papranueshme se si na kushton çmimi i energjisë elektrike, importi i energjisë më shtrenjtë se në vendet e rajonit. Në çmimin e energjisë elektrike, në çmimet e larta, ne kemi çmimin më të lartë se Suedia. Çfarë standardi të jetesës ka Suedia, dhe ne kemi çmimin më të lartë se ata. Rroga mesatare është më e ulëta në raport me rajonin. Nëse kemi një çift që jeton me një rrogë mesatare të Kosovës, ata paguajnë 20-25 për qind të të ardhurave për faturën e energjisë elektrike. Si mund ta përballojnë këtë kosto të shpenzimeve familjare që ndikon në uljen e cilësisë së jetës për qytetarët,” shtoi ai.
Ai paralajmëroi se kjo situatë po rëndon bizneset dhe qytetarët, duke ndikuar negativisht në cilësinë e jetës dhe konkurrencën në treg.
“Shumica e qytetarëve ngrohen me energji elektrike, nuk kanë alternativa të tjera. Nëse kanë, janë të dëmshme për shëndetin dhe mjedisin e Kosovës. Mungesa e transparencës dhe llogaridhënies janë pjesë e korrupsionit,” përfundoi ekonomisti./EO