Gjithsej 198 ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme në Kosovë kanë nënshkruar marrëveshje për përfitim financiar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes skemave mbështetëse të KIESA-s, në një shumë totale prej 8.9 milionë euro, ka njoftuar Zef Dedaj, drejtor ekzekutiv i KIESA.
Në ceremoninë e nënshkrimit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi rëndësinë e këtyre granteve për zhvillimin industrial dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve kosovare në tregjet ndërkombëtare.
Sipas Kurtit, mbështetja është ndarë përmes tre skemave të veçanta:
Skema për ndërmarrjet prodhuese me potencial eksporti, ku 129 biznese kanë përfituar 7.3 milionë euro për blerje makinerish dhe zgjerim të kapaciteteve prodhuese.
Skema për sektorin e teknologjisë, informacionit dhe komunikimit (TIK), që mbështet 42 ndërmarrje me vlerë 1 milion euro.
Skema për certifikimin e produkteve, nga e cila 27 biznese kanë përfituar 600 mijë euro.
Ndërkaq, ministrja në detyrë e MINT, Rozeta Hajdari, tha se qeveria do të vazhdojë mbështetjen e bizneseve vendore për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe inovacionin.
“MINT mbetet e përkushtuar në përkrahjen e vazhdueshme të ndërmarrjeve mikro, të vogla, të mesme dhe start-up, për të ndërtuar një ekonomi të fortë, konkurruese dhe inovative,” u shpreh Hajdari.