Kosova po zbrazet: Mbi 200 mijë qytetarë kanë emigruar në 5 vitet e fundit – mungesa e perspektivës po e shtyn fuqinë punëtore drejt BE-së

by informim peje

Mbi 200 mijë qytetarë të Kosovës kanë lënë vendin gjatë pesë viteve të fundit, duke kërkuar strehim dhe mundësi më të mira jetese në shtetet e Bashkimit Evropian, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat. Ky numër përfaqëson më shumë se 12% të popullsisë së përgjithshme të vendit, duke e bërë migrimin një nga sfidat më serioze socio-ekonomike për Kosovën.

Vetëm në vitin 2024, rreth 39 mijë kosovarë kanë aplikuar për leje qëndrimi në BE, me Gjermaninë që mbetet destinacioni kryesor. Sipas njohësve të fushës, trendi tregon për një ikje të vazhdueshme që lidhet ngushtë me mungesën e perspektivës, papunësinë dhe kushtet ekonomike e pagat e ulëta në Kosovë.

banner

Kryesindikalisti i sektorit privat: Mbi 350 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova, shumica për punë në Gjermani

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, ka deklaruar se numri i qytetarëve të larguar nga Kosova është shumë më i lartë se shifrat zyrtare. Sipas tij, 350 mijë qytetarë kanë ikur nga Kosova gjatë pesë viteve të fundit.

“Kjo shifër është mbi 350 mijë, por 200 mijë janë njerëz të cilët kanë gjetur vende pune, kryesisht në Gjermani. Shpeshherë, kur i japim disa shifra për udhëheqësit e shtetit, thuhet se po i fryjmë këto të dhëna. Pjesa dërrmuese e këtyre ikjeve kanë qenë punëtorët e sektorit privat, por edhe të sektorit publik,” tha Azemi.

Sipas tij, paga mesatare nuk mjafton për një jetë dinjitoze. Ai thekson se mungesa e sigurisë në punë dhe perspektivës ka shtyrë mijëra qytetarë të kërkojnë të ardhme jashtë vendit.

“A ka mundësi të më tregojë dikush nëse mund të bëjë dikush jetë të qëndrueshme me këto paga që po merren sot? A mund të mbijetojë dikush me 600 euro pagë mesatare? Punëtorët kanë pritur përmirësim, por e kanë kuptuar se nuk ka paga të mira, as siguri në punë, as sigurime. As nuk ka pasur dhe as nuk ka perspektivë për të jetuar në Kosovë,” u shpreh ai.

Deputeti i PDK-së: Të rinjtë po ikin nga Kosova si pasojë e keqqeverisjes

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, i cili ishte edhe kryetar i Komisionit për Ekonomi, ka kritikuar ashpër qeverinë për situatën ekonomike dhe largimin masiv të të rinjve nga vendi.

“Kosovën po e braktisin përditë e më shumë të rinj që kanë humbur besimin dhe shpresën për një jetë më të mirë, si rezultat i politikave të dëmshme dhe jozhvillimore të kësaj qeverie,” tha Shala për Front Online.

Ai shtoi se mungesa e vendeve të punës dhe fuqisë punëtore është pasojë direkte e keqqeverisjes.

“Sot në Kosovë janë ndërprerë të gjitha investimet, po mbyllen bizneset nga politikat e keqqeverisjes. Brenda një mandati kemi pasur tri herë rritje të çmimit të energjisë, e si rezultat ka rënë prodhimi vendor dhe kemi shkallë të lartë të inflacionit. Rinia nuk po gjen vende pune, tregu i punës po përballet me mungesë të fuqisë punëtore si rezultat i keqqeverisjes,” theksoi ai.

Ish-ministri i Tregtisë: Shpresat e të rinjve me Kurtin u shuan – Kosova po zbrazet

Ismet Mulaj, ish-ministër i Tregtisë, ka kritikuar Qeverinë Kurti për dështimin në përmbushjen e pritjeve të qytetarëve. Sipas tij, shumë kishin shpresuar se me Vetëvendosjen do të hapej një kapitull i ri zhvillimi për Kosovën, por kjo nuk ka ndodhur.

“Pritjet e qytetarëve kanë qenë të mëdha që Albin Kurti dhe LVV do të sillnin ndryshime dhe do të hapnin frymë zhvillimi në Kosovë, por ky realitet nuk është përmbushur,” ka deklaruar ai.

Mulaj shtoi se mungesa e perspektivës dhe humbja e besimit po e zbrazin vendin.

“Liberalizimi i vizave ka krijuar mundësi që të rinjtë të shohin vende të ndryshme të BE-së dhe të punojnë tek të afërmit e tyre. Ky është një problem i madh, sepse fuqia punëtore po largohet dhe gradualisht do të ikë edhe ‘truri’ i Kosovës, pasi nuk shohin perspektivë dhe kanë humbur besimin se ky vend mund të zhvillohet,” theksoi Mulaj për Front Online.

Ish-ministri Reçica: Migrimi masiv, pasojë e mungesës së reformave të qëndrueshme

Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ka folur për Front Online lidhur me largimin e mbi 200 mijë qytetarëve nga Kosova në pesë vitet e fundit, duke e cilësuar këtë si tregues të një krize strukturore në vend.

Sipas tij, ky fenomen nuk është vetëm migrim, por humbje e kapitalit njerëzor më të çmuar.

“Largimi i mbi 200 mijë qytetarëve nga Kosova në pesë vitet e fundit është tregues i qartë i krizës strukturore me të cilën përballet vendi. Nuk bëhet fjalë vetëm për migrim, por për humbjen e kapitalit më të çmuar – gjeneratës së re dhe forcës punëtore aktive. Kjo shifër pasqyron mungesën e perspektivës ekonomike, papunësinë e lartë, pagat e ulëta dhe mosbesimin e qytetarëve në institucione,” u shpreh ai.

Ai thekson se arsyet kryesore janë mungesa e reformave të qëndrueshme në ekonomi, arsim dhe qeverisje.

“Arsimi nuk është i harmonizuar me nevojat e tregut të punës, vendet e punës janë të pakta dhe shpesh të pasigurta, ndërsa korrupsioni dhe keqqeverisja e thellojnë ndjenjën e pasigurisë. Vetëm nëse krijohen mundësi reale për punësim dinjitoz, rritje profesionale dhe institucione të besueshme, mund të ndalet ky trend.”

Sociologu Selishta: Emigrimi po ndikon rëndë në strukturën e popullsisë

Sociologu Bekim Selishta ka paralajmëruar për pasojat e rënda që sjell emigrimi masiv në Kosovë, duke e quajtur largimin e mbi 200 mijë qytetarëve një “vakum serioz demografik”.

Sipas tij, ky numër përfaqëson rreth 11–12% të popullsisë dhe përbëhet kryesisht nga të rinj dhe persona të aftë për punë.

“200 mijë përfaqësojnë afërsisht 11–12% të popullsisë së përgjithshme. Ky është një vakum serioz demografik. Pjesa më e madhe e atyre që emigrojnë janë të rinj dhe të aftë për punë, që do të thotë se Kosova po humb një pjesë të konsiderueshme të kapitalit njerëzor,” tha ai për Front Online.

Ai shtoi se kjo situatë kërcënon stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë të vendit.

“Largimi i të rinjve dhe i familjeve çon në tkurrje të numrit të nxënësve, studentëve dhe ul motivimin për zhvillim. Me natalitet në rënie dhe emigrim të lartë, struktura e popullsisë po plaket, çka e bën edhe më të vështirë mbajtjen e sistemeve sociale, si pensionet”.

Gjermania mbetet destinacioni më i preferuar për qytetarët kosovarë.

Sipas disa të dhënave të autoriteteve të Kosovës, në Gjermani jetojnë rreth 600.000 shtetas të Kosovës. MPJD ka kumtuar nga fundi i vitit 2023 se jashtë vendit jetojnë rreth 54% e popullatës me origjinë nga Kosova. Ndërkohë që numri është rritur.”

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy