Ministria e Financave e Republikës së Kosovës ka njoftuar se nga sot është hapur aplikimi për Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike për periudhën 2025–2026.
Qytetarët mund të aplikojnë në mënyrë elektronike përmes platformës eKosova, duke hyrë te seksioni Shërbimet – Grante dhe Subvencione, ose direkt në këtë link: 👉 https://ekosova.rks-gov.net/562
Sipas njoftimit të Ministrisë, familjet që kanë aplikuar vitin e kaluar nuk kanë nevojë të riaplikojnë, pasi të dhënat e tyre janë bartur automatikisht për vitin 2025. Megjithatë, në rast se ka pasur ndryshime në të dhënat personale — si numri i anëtarëve të familjes, vendbanimi apo njehësori elektrik — qytetarët mund t’i përditësojnë ato lehtësisht në formularin ekzistues, duke bërë ndryshimet dhe më pas duke klikuar opsionin “Apliko”.
Ky program synon të mbështesë familjet më të cenueshme gjatë stinës së dimrit, për të lehtësuar përballimin e shpenzimeve të energjisë elektrike.
Kriteret kryesore për përfitim janë:
Të jenë shtetas të Republikës së Kosovës;
Të ardhurat mujore deri në 150 euro për anëtar;
Pasuri të paluajtshme me vlerë deri në 100,000 euro.
Subvencioni do të realizohet sipas një formule përllogaritjeje që bazohet në të ardhurat mesatare të familjes dhe shumën e faturës së energjisë elektrike për muajin përkatës.
Aplikimi do të jetë i hapur për gjashtë muaj, por Ministria apelon që aplikuesit e rinj dhe ata që kanë ndryshuar të dhënat të plotësojnë aplikimin brenda muajit tetor, pasi pagesat retroaktive nuk do të realizohen.