Avokati dhe veprimtari i shoqërisë civile, Arianit Koci, ka reaguar pas raportimeve për rastin ku pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) u panë në veri të vendit. Ai ka theksuar se bëhet fjalë për një keqkuptim të thjeshtë dhe jo për ndonjë provokim apo veprim të qëllimshëm.
“Pjesëtarët e FSK-së e ngatërruan drejtimin gjatë një rruge nga Istogu për në Mitrovicë. Asgjë më shumë. Asnjë provokim, asnjë qëllim i fshehur. Vetëm një gabim njerëzor,” – ka shkruar Koci.
Ai shtoi se, pavarësisht se ku ndodhen, pjesëtarët e FSK-së janë brenda territorit të Republikës së Kosovës.
“Në fund të ditës, si në jug, si në veri – FSK është në Kosovë. Në territorin e vet,” – përfundoi Koci.
Ky reagim i Kocit vjen pas disa interpretimeve publike mbi lëvizjen e automjeteve të FSK-së në veri, që sipas tij, nuk duhet parë si akt politik apo provokues, por si një situatë e zakonshme dhe e qartë.