Kosova mbetet prapa në Planin e Rritjes së BE-së, ndërsa Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut marrin fondet e para

by engel

Komisioni Evropian ka shpërndarë fondet e reja të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke disbursuar miliona euro për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që Kosova mbetet e vetmja që nuk ka përfituar ende nga kjo paketë për shkak të ngërçit institucional.

Në një deklaratë zyrtare, Komisioni Evropian tha se vendimi pasqyron “reformat e rëndësishme që partnerët kanë ndërmarrë për t’u përshtatur me standardet e BE-së”, duke theksuar se disbursimet e para vijnë pas vizitës së presidentes Ursula von der Leyen në vendet e rajonit.

banner

Sipas KE-së, Shqipëria do të marrë 99.3 milionë euro, Mali i Zi do të përfitojë 8.1 milionë euro, ndërsa Maqedonia e Veriut do të marrë 16 milionë euro. Një pjesë e këtyre fondeve do të derdhen direkt në buxhetet shtetërore, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për projekte infrastrukturore përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), që përfshin investime në energji të pastër, transport të qëndrueshëm, zhvillim digjital dhe kapital njerëzor.

Ndërkohë, Kosova vazhdon të mbesë jashtë disbursimeve fillestare, pasi ende nuk ka themeluar institucionet e reja pas zgjedhjeve, një kërkesë e përsëritur e Bashkimit Evropian si kusht për lëshimin e fondeve.

Sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian, Kosova mund të përfitojë deri në 880 milionë euro nga paketa prej 6 miliardë eurosh që mbulon periudhën 2024–2027, nëse përmbush kushtet institucionale dhe administrative të nevojshme.

Plani i Rritjes, i miratuar në fund të vitit 2023, ka për qëllim përshpejtimin e integrimit ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e BE-së, duke shpërblyer shtetet që zbatojnë reformat strukturore dhe demokratike.

Megjithatë, për Kosovën, vonimi në funksionalizimin e institucioneve po rezulton me humbje të mundësive të financimit, duke e lënë vendin pas fqinjëve në procesin e përfitimeve nga fondet e BE-së.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy