Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot prezantimin e projektit “Identiteti Digjital”, i cili pritet të vendoset në dispozicion të qytetarëve shqiptarë në fillim të vitit 2026. Në një aktivitet të zhvilluar në ambientet e Piramidës në Tiranë, Rama e cilësoi këtë iniciativë si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit teknologjik të jetës sociale dhe ekonomike të vendit.
“Prej disa kohësh tanimë ne jemi angazhuar me shumë dëshirë por edhe me ambicie për të krijuar Identitetin Digjital, i cili është baza e një kapërcimi tepër të madh në të ardhmen falë teknologjisë.
Ndërkohë që BE po ashtu po përgatitet për identitetin digjital dhe objektivi i shpallur i BE është që në vitin 2027 qytetarët e BE-së të mund të pajisen me identitetin e tyre digjital. Ne do të jemi një vit më parë dhe e theksoj këtë jo për të afirmuar ndonjë përparësi tonën, por për të rikujtuar edhe një here se përparësia që teknologjia i jep çdo vendi që e përqafon është një përparësi e jashtëzakonshme që unë e quaj një bekim të kësaj kohe.
Përmes teknologjisë digjitale dhe falë inteigjencës artificiale, vendet mund të imagjinojnë të kapërcejnë epoka që mund t’i kishin të pamundura për t’i kapërcyer. Ne jemi bërë një vend lider në rajon për sa i përket shërbimeve përmes inovacionit. Identiteti digjital është një instument i domosdoshëm për të realizuar planin tonë të kalimit nga paraja cash në transaksione digjitale. Kjo do të thotë më tepër siguri për konsumatorët, më tepër transaprencë dhe shumë më tepër të ardhura nga ajo pjesë që i takon konsumatorit.“
Rama u ndal edhe te krijimi i një tjetër kompanie në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, kompaninë publike “AlbTrace”.
“Kjo kompani do të na ndihmojë të bëjmë gjurmueshmërinë në kohë reale të të gjitha produkteve; të rrisim në mënyrë të paimagjinueshme, deri më sot, kontrollin dhe sigurinë e produkteve, të ulim në mënyrë shumë domethënëse, edhe në këtë aspekt, informalitetin dhe të gjitha ato pasoja që ky i fundit sjell në cilësinë e jetës, por edhe në vetë shëndetin e njerëzve”, u shpreh Rama.