Të vërtetosh që je gjallë: Të moshuarit luftojnë burokracinë për pensionet

by Nexhat

Obligimi që pensionistët të paraqiten fizikisht në qendrat e pensioneve çdo gjashtë muaj për të vërtetuar se janë gjallë, po shihet si një gjë e mundimshme dhe diskriminuese. Banka Qendrore e Kosovës, thotë se ka filluar të përditësojë llogaritë bankare për të zvogëluar nevojën për verifikim personal.

Një javë më parë, Halil Halilit i ka skaduar afati kur duhet të shkojë në Departamentin e Pensioneve në Ministrinë e Financave, Punës e Transfereve që të dëshmojë fizikisht që është gjallë, për të mundur të marrë pensionin e pleqërisë prej 120 eurosh. Me një ecje të ngadalshme, duke u mbajtur në shkop, ai ofrohet i vetëm derës së ndërtesës së pensioneve. Me dorën që i dridhet mbështetet tek dera. Sytë e mjegulluar tregojnë dëshpërim.

banner

“I kam 93 vjet.  Shkoj çdo 6 muaj me u lajmërua për pension, po kjo është krejtësisht e panevojshme. Njeriu kur vdes bohet një raport mjekësor, automatikisht i shkon Ministrisë së  Financave. Kjo është veç keqtrajtim i pensionistëve”, tregon ai.

Në vitin 2023 Ministria e Financave lansoi një projekt që ekipet mobile të verifikojnë nëse janë gjallë në shtëpi pensionistët më të vjetër se 80 vjeç.

Por Halili thotë se kurrë nuk ka ardhur ndonjë ekip i tillë. Madje tregon se shkuarja për të treguar që është gjallë vazhdon të jetë e mundimshme për të dhe të tjerët që jetojnë vetëm.

“ Janë shkallët e këqija të mermerit aty, një ditë jam rrëzuar në ato shkallë, shumë është vend i keq për të moshuarit. Tash s’po muj me shku në bankomat, po ja jep dikujt kartelën e ma nxjerr pensionin”, shton ai.

Si Halili, shumica e pensionistëve në Kosovë, pensionet e të cilëve nuk  përballojnë as gjysmën e shpenzimeve për barnat që u nevojiten, vazhdojnë të përballen me mundimet e verifikimit që janë gjallë.

Kjo bëhet më e vështirë për të moshuarit që jetojë në fshatra më të largëta dhe nuk mund të shkojnë vetëm në qendrat pensionale. Halim Ymeri 82 vjeç nga fshati Shtupel i komunës së Klinës, tregon gjithashtu se bashkë me gruan duhet të shkojnë për të zgjatur afatin e marrjes së pensionit. Ai gjithashtu tregon se ekipet mobile nuk i vijnë asnjëherë në shtëpi.

“Po më duhet kartonin me vulos edhe shkoj aty, kuku çka jam tu pi unë me plakën barna nuk dalin as për to. Shyqyr që i kemi edhe djemtë që më ndihmojnë se s ’di çka kishim bo”, thotë ai.

Brikenë Hoxha, drejtoreshë e organizatës Iniciativa Kosovare për Stabilitet, që merret me hulumtimin e zhvillimeve socio-ekonomike në Kosovë thotë se kjo formë e verifikimit përbën diskriminim.

“Është një barrë e panevojshme mbi shpatullat e njerëzve që shpesh jetojnë vetëm me ato të ardhura”, thotë ajo.

Hoxha thekson se duhet të ndërpritet kjo praktikë e mundimshme që mund të zëvendësohet me një verifikim automatik online, përmes regjistrit civil.

“Nuk mund të justifikojë sistemin që i detyron të moshuarit të presin në radhë ose të udhëtojnë kilometra të tëra për një procedurë që teknologjia dhe koordinimi institucional do ta bënin të panevojshme”, shton ajo.

Kur afati skadon dhe ata janë të sëmurë apo kanë harruar datën e lajmërimit pensioni u ndalet menjëherë. Tahir Behrami 72 vjet, nga Mitrovica e Jugut tregon për Radio Kosovën se harresa e datës dhe pamundësia për të shkuar e kanë lënë, pa pension për dy muaj me radhë.

“Po harrojmë me u lajmëru, po na ndalin tani s’mundesh me marr pensionin deri në tjetrin muj i  bjen dy muj, tash me ka ndodh”, thotë ai.

Behrami kërkon që ekipet mobile të shkojnë për verifikim në shtëpi.

“Ka qenë mirë te shpija me ardhë me vërtetu a je gjallë a jo. Është  e mundimshme për pleq e plaka, jemi lodh, nuk po dëgjojë mirë, me ec nuk po muj, e harresa më e keqja”, thotë ai.

Sekretari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Sherif Kastrati, kërkon që të hiqet kontrolli fizik i të moshuarve, si kusht, për më shumë se 159  mijë e 580 pensionistë.

“Një nga maltretimet më të mëdha që i bëhet pensionistëve është të lajmërohen në sportel. Me ardh me shku deri në qendër duhet me pagu taxi ose familjarë kanë punë tjetër dhe nuk mujnë me sjell”, thotë Kastrati.  

Ministria e Financave i ka thënë Radio Kosovës se ekipet mobile po vizitojnë të sëmurit në shtëpi dhe ata më të vjetër se 80 vjeç mund të bëjnë kërkesë për vizita në shtëpi. Kjo sipas Ministrisë së Financave bëhet me qëllim që pagesat t’u bëhen vetëm atyre që kanë të drejtë dhe janë rezident në Kosovë, duke parandaluar keqpërdorimet.

Megjithatë Radio Kosova ka intervistuar disa të moshuar mbi 80 vjeç që kanë treguar se nuk kanë marrë përgjigje për vizita të ekipeve në shtëpi.

Adem Qorrolli, hulumtues i ekonomisë dhe çështjeve sociale shpjegon se ka shumë mënyra që mund të shmangin prezencën fizike të pensioneve për të dëshmuar se janë gjallë.

“Rreth 13 për qind e pensionistëve, mbesin pa një pension çdo gjashtë muaj, për shkak të këtyre burokracive administrative. Institucioni shumë lehtë e ka ta kuptoj se kur ka vdes një person dhe kur duhet t’ia ndërpres pensionin e tij”, thotë ai.

Në dyert e departamenteve pensionale, kudo nëpër komuna, është një pamje e njëjtë. Shumica e tyre nuk janë pensionistë kontribut-pagues dhe  nuk kanë sigurim shëndetësor. Ata ndajnë një realitet të ngjashëm të një kohe që i përballë me nevoja ekzistenciale të shëndetit, jetës dhe pashpresës.

Zyrtarët e Bankës Qendrore i kanë thënë Radio Kosovës se për të mbrojtur grupet e cenueshme, pensionistët dhe përfituesit e ndihmës sociale në bashkëpunim me Agjencinë për Regjistrim Civil po bëjnë përditësimin elektronik të të dhënave të llogarive bankare, për të reduktuar procedurat manuale dhe për paraqitje fizike të qytetarëve. 

Kjo pritet të ndjehet tek të moshuarit që obligohen të paraqiten fizikisht për të siguruar në kartonin e tyre vulën e të qenit gjallë edhe për 6 muaj të tjerë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy