Kryeministri në detyrë dhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen në balotazhin e djeshëm përmes një postimi në Facebook. Ai theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes aktive në procesin demokratik dhe përgjegjësinë e qytetarëve për të mbajtur liderët komunalë përgjegjës për premtimet e dhëna.
“Ju falemnderit për pjesëmarrje në balotazhin e djeshëm të gjithë juve që e ushtruat të drejtën e votës. Treguat vullnet dhe pjekuri, i kontribuat demokracisë në Kosovë dhe orientimit të politikave publike në komunat tuaja. Mbajeni përgjegjës tani secilin kryetar për premtimet e dhëna dhe gjendjen në qytete e fshatra”, shkroi ai.
Në mesazhin e tij drejtuar aktivistëve të Vetëvendosjes, kryeministri vuri në pah se partia do të qeverisë tashmë në shtatë komuna, më shumë se kurrë më parë, duke nënvizuar sfidat dhe mundësitë që kjo situatë sjell.
“Tash do të qeverisim në shtatë komuna të Republikës, pra më shumë se kurdoherë më parë. Lëvizjen tonë s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve. Ju falemnderit çdonjërit për angazhimin. Na presin shumë punë e sfida, që do të thotë se para nesh ndodhen shumë suksese e fitore”, ka shkruar kryeministri në detyrë./Informim.net

