Kronotipi është ritmi biologjik personal që ndikon në produktivitetin tonë dhe kontrollon ciklet e gjumit dhe zgjimit. Disa persona zgjohen herët dhe janë më produktivë në pjesën e parë të ditës – ky është kronotipi i mëngjesit. E kundërta është kronotipi i mbrëmjes, që përfshin njerëzit që zgjohen më vështirë dhe funksionojnë më mirë në orët e vona.
Personat e quajtur “shqiponja të natës” japin maksimumin kur gjithçka qetësohet, duke arritur rezultate më të mira në pasditet dhe mbrëmjet e vona. Megjithatë, mjekët paralajmërojnë se jeta e natës mund të jetë ngarkesë për shëndetin kardiovaskular dhe atë psikik.
Jeta e personave të natës është e lidhur ngushtë me disa zakone. Ritmi cirkadian i kronotipit të mbrëmjes zakonisht nuk është i sinkronizuar me lindjen dhe perëndimin e diellit.
Sipas Sleep Foundation, për këtë arsye personat e natës më shpesh zhvillojnë zakone jo të shëndetshme, si:
Vakte të vona
Cilësi më të dobët të gjumit dhe më pak orë gjumë
Aktivitet fizik të pamjaftueshëm
Konsumim më të shpeshtë të duhanit dhe alkoolit
Disa ekspertë besojnë se këto zakone lidhen me rrezikun e rritur për sëmundje kronike. Personat e natës kanë më shumë gjasa të kenë probleme kardiake, nivele më të larta të LDL (“kolesterolit të keq”) dhe triglicerideve. Një studim i kryer tek gratë e rritura tregoi se kronotipet e mbrëmjes kanë shëndet më të dobët kardiovaskular krahasuar me kronotipet e tjera. Ato hanë më jo shëndetshëm, ushtrojnë më pak, flenë më keq dhe pijnë më shumë duhan, të gjitha këto janë faktorë rreziku për sëmundjet e zemrës.
Qëndrimi zgjuar natën rrit rrezikun kardiovaskular
Ekspertët e UCLA Health theksojnë se edhe personat që rrinë zgjuar natën, edhe nëse nuk është ritmi i tyre natyral, kanë rrezik të shtuar për sëmundje kardiovaskulare. Ata që flenë më pak se shtatë orë në natë janë më të prirur të zhvillojnë:
Arteriosklerozë (ngurtësim të arterieve)
Arterosklerozë (ngushtim të arterieve)
Sëmundje të zemrës
Goditje në tru
Më shumë ankth dhe depresion
Sipas kërkimeve, personat që preferojnë të qëndrojnë zgjuar natës shfaqin më shumë simptoma ankthi dhe depresioni krahasuar me personat e mëngjesit. Arsyeja e mundshme: kronotipi i mbrëmjes lidhet me nivele më të larta të stresit dhe cilësi më të dobët të gjumit, dy faktorë që rrisin rrezikun e problemeve psikike.
Rrezik i shtuar për çrregullime metabolike
Çrregullimet metabolike ndikojnë në mënyrën se si trupi përpunon ushqimin dhe shndërron proteinat, karbohidratet dhe yndyrat në energji. Koha e vakteve, sidomos darka e vonë, mënyra si trupi përpunon sheqerin në gjak dhe sasia e gjumit kontribuojnë në zhvillimin e këtyre çrregullimeve. Obeziteti dhe diabeti tip 2 janë dy shembuj tipikë.
Në një studim me mbi 63.000 infermiere, ato që u vetëpërshkruan si “shqiponja të natës” kishin rrezik më të lartë të diabetit. Kronotipet e mbrëmjes konsumojnë më shumë kalori natën, kanë më shumë dëshirë për ushqime të veçanta dhe nivele dukshëm më të larta të glukozës në gjak.
Rrezik më i madh për probleme kognitive
Mungesa e gjumit nuk shkakton vetëm lodhje të fortë në mëngjes, por edhe probleme me kujtesën dhe zgjidhjen e problemeve. Disa studime tregojnë lidhje të drejtpërdrejtë midis hronotipit të mbrëmjes dhe funksionimit më të dobët kognitiv, sidomos tek personat me arsim të lartë.
Me disa ndryshime, rreziku mund të ulet
Ekspertët theksojnë që personat e natës mund të reduktojnë rreziqet shëndetësore me disa ndryshime të thjeshta:
Mundohuni të rregulloni ritmin cirkadian
Ekspozohuni ndaj dritës së fortë të mëngjesit
Rregulloni oraret e vakteve
Shmangni alkoolin dhe kafeinën natën
Kryeni aktivitet fizik më herët gjatë ditës
Përpiquni për 5 ditë radhazi të flini çdo natë disa minuta më herët.

