Ish-ministrja dhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër përmes një postimi të gjatë në Facebook, duke akuzuar pushtetin aktual për shpifje, fushata linçuese dhe dështime të njëpasnjëshme në qeverisje. Ajo tha se, pavarësisht presioneve e sulmeve, “faktet po i çmendin” kundërshtarët e saj politikë.
Bajrami theksoi se ka qenë pjesë e tri qeverive të Kosovës dhe se, sipas saj, asnjë shkelje nuk është gjetur gjatë angazhimit të saj publik:
“Kam punuar me nderë dhe përgjegjësi. Pavarësisht gërmimeve të tokës e nëntokës së këtij pushteti, asnjë shkelje nuk është gjetur”, shkroi ajo.
Në shkrimin e saj, Bajrami akuzoi ashpër Qeverinë Kurti për, siç tha, dështime të thella në ekonomi, korrupsion dhe marrëdhënie të koordinuara me Listën Serbe e Radoiçiqin.
Sipas saj, pushteti aktual po përpiqet “të krijojë armiq gjatë ditës dhe të viktimizohet gjatë natës, sepse nuk ka asnjë sukses për të treguar”.
Ajo e sfidoi publikisht kryeministrin Albin Kurti për debat televiziv, duke thënë se tash e pesë vjet po pret përballje:
“Merreni Albin Kurtin për dore dhe caktoni televizionin, kohën dhe moderatorin. Por jeni frikacakë dhe ju çmendin faktet.”
Bajrami rikujtoi disa nga periudhat kur ka qenë pjesë e qeverive të mëparshme, duke listuar:
Nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit;
Rritjen ekonomike prej rreth 6% dhe inflacionin afër zeros;
Shkarkimin e ministrit Jabllanoviq;
Marrëveshjet ekonomike në Washington dhe njohjen nga Izraeli.
Ajo gjithashtu radhiti një sërë pyetjesh adresuar Qeverisë Kurti, për çmimet, korrupsionin, investimet, kontratat njëburimore, shëndetësinë, arsimin dhe infrastrukturën – duke e akuzuar që ka dështuar në secilin sektor.
Deklaratat për raportet me Serbinë dhe Listën Serbe
Bajrami i quajti mashtruese deklaratat e pushtetit mbi rrezikun nga Serbia, duke theksuar se sipas saj, “lufta ka mbaruar në vitin 1999” dhe se kufiri ruhet nga NATO.
Ajo i akuzoi kryeministrin dhe LVV-në se e kanë “faktorizuar Listën Serbe”, duke pretenduar se kanë bashkëpunuar me të për vota e procese politike, përfshirë, siç tha, pagën e veteranëve dhe votimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Bajrami: “Dështimet nuk mbulohen me profile fallco”
Në fund të reagimit të saj, ajo u bëri thirrje qytetarëve që me votë të largojnë këtë qeveri, duke theksuar se “për ta ruajtur Republikën” nuk duhet dhunë, por llogaridhënie demokratike.
“Dështimet nuk mund t’i mbuloni me fushata me profile fallco. S’keni shpëtim – do t’ju largojmë me votë”, përfundoi ajo, duke theksuar se videot dhe faktet e veprimeve të pushtetit “tashmë janë publike dhe të padiskutueshme”.

