Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO, së bashku me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Policinë e Kosovës, kanë zhvilluar sot ushtrimin e përbashkët “Golden Sabre 2025” në zonën stërvitore të Kampit Vrelo në Prishtinë. Lajmi është bërë i ditur nga vetë KFOR-i përmes një njoftimi zyrtar në Facebook.
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas, e cilësoi ushtrimin si një dëshmi të qartë të gatishmërisë operacionale dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet forcave shumëkombëshe të KFOR-it dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës.
“Sot pamë një demonstrim të integrimit, ndërveprimit dhe profesionalizmit mes kontingjenteve të KFOR-it dhe partnerëve lokalë të sigurisë. Ky bashkëpunim ndihmon në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë dhe kontribuon në stabilitetin rajonal,” u shpreh gjeneralmajor Ulutas.
Në ushtrim mori pjesë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila demonstroi aftësitë e saj në operacionet për heqjen e pajisjeve shpërthyese (EOD) dhe materialeve të rrezikshme (HAZMAT), në përputhje me mandatin aktual.
KFOR-i theksoi se vazhdon ta zbatojë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke garantuar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes.
Në njoftimin zyrtar u rikujtua se KFOR-i vepron gjithmonë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, të cilët mbeten hallka kryesore në reagimin e sigurisë dhe sundimin e rendit në Kosovë.
Ushtrime të tilla, sipas KFOR-it, synojnë rritjen e ndërveprimit dhe gatishmërisë së të gjitha agjencive të sigurisë për t’u përgjigjur me efikasitet në çdo situatë të mundshme.

